1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani ka afat deri në mes të korrikut për ndërprerjen e pasurimit të uraniumit

Eberhard Nembach2 Qershor 2006

SHBA i japin Iranit kohë deri në mes të korrikut të vitit të ardhshëm, kur mblidhet takimi i G-8-ës, që të ndërpresë pasurimin e uraniumit. Kjo u bë e ditur dje në mbrëmje nga qarqe diplomatike në Vjenë

Pamje nga takimi i Vjenës
Pamje nga takimi i VjenësFotografi: AP

Kjo pamje duhet ta impresionojë udhëheqjen e Teheranit: diplomatë kryesorë të pesë fuqive me të drejtë vetoje në KS të OKB-së, Gjermanisë dhe BE qëndruan në oborrin e ambasadës britanike në Vjenë, në mënyrë demonstrative të të njëjtit mendim, ndërsa ministrja e jashtme e Britanisë së Madhe, Margaret Becket shpalli linjën e re të përbashkët përballë Iranit:

"Ramë dakord për një sërë propozimesh tejvajtëse. Besojmë se ato i ofrojnë Iranit shansin të arrijë një zgjidhje në bazë negociatash, e cila bazohet në bashkëpunim. Ne jemi të gatshëm të rinisim negociatat, nëse Irani ndërpret të gjitha aktivitetet për pasurimin e uraniumit dhe për ripërpunimin e tij , sic kërkon Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore. Në këtë rast ne do t'i ndërprisnim aktivitetet në KS të OKB-së. Ne kemi rënë më tej dakord, që nëse Irani vendos kundër negociatave, të bëhen hapa të tjerë në KS të OKB-së"

Se cilat hapa do të ishin këto, nëse këtu bën pjesë edhe kërcënimi me sanksione të mundshme, këtë ministrja nuk e tha. Edhe ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Steinmeier u tregua i rezervuar:

"Ne negociuam për një propozim të përbashkët, në të cilin natyrisht përmbahen edhe mendime, si të veprohet më tej, nëse bisedimet nuk arrijnë sukses. Mendoj, se të gjithë nuk do të bënim mirë, sikur t'i transportonim këto hollësi në publik, para se të jetë vendosur një kontakt vetë me iranianët."

Nga qarqe të delegacionit amerikan u tha megjithatë, se vija e fortë e Uashingtonit me kërkesën për sanksione të mundshme pati sukses. "Ne e fituam biznesin që donim", tha një bashkëpunëtor i nivelit të lartë i ministres së jashtme amerikane, Kondolisa Rajs. Rusia dhe Kina tani me sa duket për herë të parë mbështesin kërcënimin për hapa të tjerë në KS të OKB-së. Kjo u mundësua nga oferta e amerikanëve, për të filluar negociata me Teheranin. Ky ka qenë një hap i rëndësishëm i Uashingtonit, tha ministri i jashtëm gjerman, Steinmeier.