Irani pa armë atomike?
20 Nëntor 2006Kështu shkruan gazetari i famshëm amerikan Seymour (Simo) Hersh në revistën "The Nju Jorker".
"Akti i ardhshëm" - quhet artikulli i fundit i një prej gazetarëve më të njohur amerikanë. Dhe "Akti i ardhshëm" i Simo Hershit, i cili pritet të publikohet këtë javë në revistën "The Nju Jorker" në të vërtetë është i fuqishëm. Siç duket sipas tij Shtëpia e Bardhë është duke luajtur një lojë të dyfishtë me opinionin sa i përket çështjes së Iranit.
CIA, Shërbimi i Fshehtë amerikan, kështu pohon Hersh, përkundër analizave dhe aktiviteteve intensive të spiunazhit deri tani nuk ka gjetur dëshmi se Irani është duke zhvilluar fshehurazi armë atomike. I pyetur nga moderatori i kanalit televiziv amerikan CNN se sa afër është Irani që të prodhojë një bombë atomike, Hersh është përgjigjur shkurt me fjalët: "Shumë larg".
Qeveria e Bushit, thekson ylli i gazetarisë amerikane, e di një gjë të tillë dhe prapëseprapë refuzon të dhënat e shërbimit të vet të fshehtë në mënyrë që të vazhdojë të mbaj qëndrim të ashpër ndaj Iranit, pa përjashtuar edhe opcionin ushtarak. Shtëpia e Bardhë e kritikoi raportin si "të mbushur me pasaktësi". Hersh është një autor, i cili zakonisht mbështetet në burime te dyshimta vetëm për të justifikuar qëndrimet e veta, sipas qeverisë amerikane. Gazetari i cili zbuloi dikur edhe masakren e luftës në Vietnam, dhe që njoftoi i pari për skandalin e torturave në Abu Graib, u shpreh: "Shtëpia e Bardhë e thotë këtë pas çdo artikulli tim, ky është tashmë qëndrimi i qeverisë.", tha Hersh.
Të dhënat për analizën sipas Hersh janë mbledhur edhe me ndihmën e satelitëve. Rezultati: negativ. Hersh shkruan më tej se një punonjës i lartë i sherbimit sekret jo vetëm që e ka konfirmuar ekzistencën e analizës por ka deklaruar se qeveria mban një qëndrim negativ ndaj ketyre fakteve. Kështu Shërbimi i Fshehtë amerikan e ka bërë të besoj qeverinë e Bushit se informacionet për programin bërthamor iranian mungojnë për shkak se Teherani i kryen në fshehtësi të madhe këto aktivitete. Por pikërisht në këtë, sipas Hersh, siç duket besojnë jo bashkëpunëtorët e CIA-s por pjesëtarët e qeverisë në mesin e tyre edhe zëvendëspresidenti Çeni.
Qëndrimi i ashpër ndaj Iranit përfshirë këtu edhe një aksion ushtarak është edhe më tej një opcion në Shtëpinë e Bardhë, thotë Hersh. Gazetari i famshëm amerikan edhe në dy artikujt e tij të fundit ka njoftuar për planet e përpunuara amerikane të sulmeve kundër Iranit.