1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani pas zgjedhjeve - Arrestohen shumë protestues

14 Qershor 2009

Pas protestave kundër rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinexhad, autoritetet iraniane janë duke proceduar kundër përfaqësuesve të kampit të refomuar politik.

Protesta pas zgjedhjeve në Teheran.
Ithtarë të Musavit demonstruan në Teheran kundër shpalljes së Ahmadinexhadit si fitues të zgjedhjeve. Policia ushtroi dhunë ndaj demonstruesve.Fotografi: DW

Rreth qindra reformatorë janë arrestuar natën duke gdhirë dita e djelë, ndër ta edhe vëllai i ish presidentit, Mohamed Chatami. Kandidati reformator Mir Husein Musavi, i cili sipas rezultateve zyrtare i ka humbur zgjedhjet, nuk e njeh fitoren e Ahmadinexhadit për shkak të parregullsive gjatë votimeve. Mijëra ithtarë të tij, të shokuar fillimisht nga rezultati i zgjedhjeve, dolën të shtunën në mbrëmje nëpër rrugët e Teheranit, për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve. Gjatë këtyre protestave pati trazira, më të rëndat që prej zhvillimit të Revolucionit Islamik para 30 viteve. Shumë protestues u plagosën, disa demostrues u arrestuan. Sipas të dhënave zyrtare, Ahmadinexhadi u rizgjodh me 63 përqind të votave. Musavi morri gati 34 përqind. Dy kandidatët e tjerë nuk morrën as tre përqind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhje duhet të ketë qenë 85 përqind.

Kandidati reformator Mir Husein Musavi, i cili sipas rezultateve zyrtare i ka humbur zgjedhjet, nuk e njeh fitoren e Ahmadinexhadit për shkak të parregullsive gjatë votimeve.Fotografi: AP

Opozitarët prisnin që zgjedhjet të kalonin në balotazh të premten e ardhshme, për shkak të garës kokë më kokë midis Ahmadinexhadit dhe Musavit. Por, televizioni shtetëror iranian njoftoi rizgjedhjen e Amhadinexhadit. Në një konferencë shtypi, Musavi nuk përdori fjalën "manipulim zgjedhjesh", por tha: "Në bazë të informacioneve të zyrave të mia në të gjitha pjesët e vendit, unë jam fituesi përfundimtar, madje me diferencë të madhe. Përveç kësaj, vëzhguesit tanë janë dëbuar nga shumë qendra votimesh. Zyrat tona të përgatitjes së zgjedhjeve janë sulmuar. Dhe zgjedhësve u janë shpërndarë pak vota."

Në zgjedhjet e mëparshme, para katër vitesh, pati mashtrime masive.Fotografi: AP

Në zgjedhjet e mëparshme, para katër vitesh, pati mashtrime masive. Prandaj si Musavi ashtu edhe ish presidenti Rafsanxhani, iu drejtuan të premten udhëheqësit shpirtëror të vendit, Ajatollah Ali Khamenei duke i kërkuar që të kujdeset për zgjedhje të ndershme. Idhtarët e Musavit, patën shpresuar në ndryshimin e politikës.

Çështja më e rëndësishme aktualisht është, si do ta shohin rezultatin e zgjedhjeve qindramijëra ithtarët e Musavit. Nuk mendohet që humbësi gjoja i zgjedhjeve, i cili përkrahet nga të dy ish presidentët, Khatami dhe Rafsanxhani të pranojë pa reaguar rezultatin e zgjedhjeve. Opozitarët flasin për puç të ushtruar nga Ahmadinexhad dhe idhtarët e tij ultrakonservatorë.

Autor : Ulrich Pick / Aida Cama

Redaktoi : Mimoza Cika Kelmendi