Hitzlsperger: "Jam homoseksual"
9 Janar 2014Ka qenë një "proces i gjatë dhe i vështirë", të pranoja se isha homoseksual, i tha ish futbollisti i kombëtares gjermane Thomas Hitzlsperger gazetës javore "Die Zeit": "Vetëm vitet e fundit m'u bë e qartë se dëshiroja më mirë të jetoja me një mashkull." Hitzlsperger tha se ndien, që tani pas përfundimit të karrierës kishte ardhur momenti i përshtatshëm për të dalë publikisht me orientimin e tij seksual. Hitzlsperger iu referua edhe Lojërave Dimërore Olimpike së shpejti në Soçi: "Mendoj se nevojiten zëra kritikë kundër fushatave të shumë qeverive kundër homoseksualëve."
Në futboll, në Gjermani, Angli, apo Itali, ku ai ka luajtur, homoseksualiteti në sport "thjesht injorohet", thotë Hitzlsperger. Ai u shpreh se nuk njeh personalisht asnjë futbollist, që të ketë tematizuar homoseksualitetin e vet. Klisheja se homoseksualët janë qullacë dhe nuk kanë vend në futbollin profesionist, vazhdon të jetë mjaft e përhapur. "Kush e sheh si 'jo burrërore' performancën time në fushë, ndoshta nuk ke çfarë t'i bësh. Unë kam qenë një lojtar i fortë, me një goditje shumë të fuqishme."
Westerwelle: nuk është e lehtë, sa duket
Jehona ndaj fjalëve të Hitzlsperger ishte e madhe. Ish futbollisti i kombëtares mori në përgjithësi lëvdata dhe vlerësime për hapin e tij. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se është pozitive, që Hitzlsperger "flet për diçka, që është për të e rëndësishme dhe ndoshta edhe e lehtëson". "Ne jetojmë në një vend, ku askush nuk duhet të ketë frikë të pranojë seksualitetin e vet vetëm për shkak të frikës nga intoleranca."
Sipas ish ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, guximi i Hitzlsperger meriton respektin maksimal: "Hapi i tij për të dalë publikisht duket shumë më i lehtë, nga sa është në të vërtetë."
Traineri i kombëtares gjermane Lëw tha se uron që deklarata e Hitzlsperger "të kontribuojë tek të gjithë ne për një qendrim më të qetë ndaj kësaj tematike". Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) Wolfgang Niersbach i premtoi ish lojtarit të kombëtares "çdo lloj mbështetje të nevojshme". Nga Anglia, ku është i angazhuar aktualisht, lojtari i kombëtares gjermane të futbollit Lukas Podolski i dërgoi këtë mesazh në Twitter Hitzlspergerit: "Hap i guximshëm dhe i drejtë. Respekt Thomas Hitzlsperger! Një sinjal i rëndësishëm në kohën e sotme."
52 ndeshje ndërkombëtare
31-vjeçari Hitzlsperger e përfundoi karrierën e tij në futboll në fillim të shtatorit. Së fundi ai luante për FC Everton në Angli. Në kampionatin gjerman mesfushori ka qenë i angazhuar tek VfB Stuttgart dhe VfL Wolfsburg. Mes viteve 2004 dhe 2010 Hitzlsperger ka marrë pjesë në 52 ndeshje ndërkombëtare për ekipin kombëtar gjerman të futbollit.