James Rubin dëshmon në Hagë për rastin e Hashim Thaçit
15 Shtator 2025
Ish-Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, James Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes në mesin e disa dëshmitarëve të ekipit mbrojtës të ish-presidentit Thaçi. Në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor edhe ndaj krerëve tjerë të ish-UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Javën që shkoi, James Rubin tha se "do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë”, tha Rubin.
Ekipi i mbrojtjes i ish-presidentit Thaçi, ka njoftuar, se synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë. Pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi i dëshmitarëve nga mbrojtja e ekipit të ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë. Dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetit të LVV-së Rexhep Selimi.
Procesi drejt përfundimit
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, në fillim të këtij muaji më 2 shtator ka njoftuar se "mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti”. Që nga nisja e procesit gjyqësor në vitin 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës ka thirrur në gjykatë 125 dëshmitarë, si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale për pretendimet e tyre.
Ish-krerët e ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara, akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave, si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave gjatë luftës në Kosovë. Në Hagë të Holandës, të dielën u mbajt një protestë e disa mijëra qytetarëve të Kosovës, kryesisht nga diaspora, duke kërkuar, siç thanë organizatorët, drejtësi për ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara, si dhe për të shprehur pakënaqësi me procesin e deritanishëm gjyqësor që po shkon drejt fundit.
DW