1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-Papa Benedikti XVI ndërron jetë

31 Dhjetor 2022

Benedikti XVI, Papa i parë nga Gjermania prej pothuajse 500 vjetësh, ndërron jetë në moshën 95-vjeçare.

Papa Benedikti XVI
Papa Benedikti XVIFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Disa e adhuronin, të tjerë e kritikonin teologun konservator gjerman me emër në mbarë botën. Kancelari gjerman Olaf Sholc e quajti atë një figurë formuese të Kishës Katolike. Kurse sipas një teologu në Vatikan qysh pas Martin Luterit asnjë gjerman tjetër nuk ka lënë aq gjurmë në botën kishtare sa Benedikti XVI. Disa të tjerë e cilësojnë ish-profesorin e teologjisë si "shefin e të menduarit" në Vatikan.

Kardinali, Jozef Ratcinger, ishte Papa i parë gjerman, pas thuajse 500 vjetëshFotografi: Domenico Stinellis/AP Photo/picture alliance

Kardinali nga Bavaria, Jozef Ratcinger, ishte Papa i parë gjerman, pas thuajse 500 vjetësh. Ratcinger ishte një nga bashkëpunëtorët më besnikë të Papa Gjon Palit II dhe dekan i kolegjiumit të kardinalëve. Benedikti XVI u zgjodh më 19 prill të vitit 2005 pas vdekjes së Papa Gjon Palit II, dhe ishte kreu i 265-të i kishës katolike në historinë mbi 2000 vjeçare të kësaj kishe. Ky post shënoi dhe kulmin e karrierës së tij.

Në vitin 1981 Papa Gjon Pali II e tërhoqi kardinalin Racinger në Romë. Posti i prefektit të kongregacionit të fesë ishte si i prerë për mendimtarin e rreptë dhe gjakftohtë. Ratcinger konsiderohej si njeriu që njihte më mirë se kushdo tjetër çështjet e teologjisë. Ai kishte marrë pjesë dy herë në konklavë, në vitin 1978 që konsiderohet edhe si viti i tre papëve, në zgjedhjen e Palit VI dhe më pas edhe në zgjedhjen e Papa Gjon Palit II. Gjatë kësaj periudhe Jozef Ratcinger ka qenë krypeshkop i Mynihut. Në këtë post ai u emërua në maj të vitit 1977 prej Papa Palit VI, që e vlerësoi Ratcingerin si një teolog konservator dhe me emër në mbarë botën.

Teolog konservator

I lindur më 16 prill 1927 në Martl mbi Il të Bavarisë Jozef Ratcinger, biri i një majori të xhandarmërisë, dëshironte të bëhej kardinal qysh në rininë e tij. "Përvoja që kam pasur me botën e fesë dhe liturgjisë më ka tërhequr jashtë mase. Liturgjia më ka mahnitur qysh në fëmjëri, ndaj mund të them se dashuria për besimin më ka lindur nga brenda. Kjo natyrisht ka të bëjë edhe me rolin që kanë luajtur prindërit dhe rrethi im, që kanë qenë mjaft të plotësuar dhe që më kanë mësuar, se ia vlen që t´i përkushtohesh rrugës së besimit", është shprehur dikur Ratcinger.

Jozef Ratcinger me familjenFotografi: Erzbistum/dpa/dpaweb/picture alliance

Pas studimeve në teologji dhe fiolozofi në vitin 1951 ai u shugurua prift. Në moshën 30 vjeçare ai mbrojti titullin e profesorit në dogmatikë në shkollën e lartë në Freizinger. Atë e tërhiqte jashtë mase puna studimore, dhe më vonë ai ka dhënë leksione në universitetet e Bonit, Tybingenit dhe Regensburgut. Trazirat studentore te viteve 60-të të shekullit të kaluar, që vunë në pikëpyetje të gjitha autoritetet dhe që Ratcingeri i përjetoi si profesor në universitetin e Tybingenit, e ndryshuan atë rrënjësisht. Dhe nga një profesor progesist i teologjisë ai u shndërrua në një mbrojtës konservator të besimit. Siç e shpjegonte ai vetë kjo lidhet jo aq me vlerat e kohës, se sa me vlerat e përjetshme: "Kisha nuk mund të matet as prej brohoritjeve të kalkuluara dhe as prej kritikës së kalkuluar, por që vetëm i duhet ta zbulojë, se çfarë i është ngarkuar asaj dhe se çfarë është qenia e saj?"

Gjatë kohës si Papë Benedikti XVI theksonte vazhdimisht rolin udhëheqës të Kishës Katolike dhe pretendimin e saj për të qenë e vetmja kishë e vërtetë. Ky qëndrim i zemëronte protestantët, të cilët etiketoheshin si anëtarë të një kishe me një klasë më të ulët. Zemërim Papë Benedikti XVI shkaktoi me deklaratat e tij edhe ndaj besimtarëve myslimanë. Gjatë Papatit të tij nuk u bë ndonjë hap i rëndësishëm në drejt afrimit ekumenik.

Skandali i abuzimeve seksuale

Skandali rreth abuzimit masiv të të miturve nga klerikët, gjë që mbahej e fshehur për dekada, la gjurmë të thella gjatë Papatit të Benediktit XVI. Në shumë vende, si Irlandë, SHBA, Australi dhe Belgjikë, dhe nga viti 2010 edhe në Gjermani, dolën në dritë gjithnjë e më shumë raste të dhunës seksuale. Kritikët u ankuan se kisha nuk po reagonte mjaftueshëm dhe me vendosmëri, por po përpiqej vetëm të transferonte autorët nga një vend në tjetrin dhe të mbulonte krimet.

Protesta ndaj abuzimeve në Kishën KatolikeFotografi: Felipe Trueba/dpa/picture alliance

Më 28 shkurt 2013 Papa Benedikti XVI u tërhoq nga Papati. Tërheqja e tij ishte - qysh prej vitit 1294 - rasti i parë që një Papë largohej me dëshirën e vet. Josef Ratzinger e argumentoi dorëheqjen e tij gjatë një meshe për martirët e Otrantos me fjalët "Fuqia dhe mosha e vjetër nuk janë aq të favorshme për të ushtruar detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme".

Lutje për ndjesë ndaj të gjitha viktimave të abuzimit seksual

Vitin e kaluar në Gjermani u botua një ekspertizë, ku ish-Papa Benedikt XVI ngarkohej me përgjegjësi për abuzimet në kryeipeshkvinë e Mynihut dhe të Frajzingut. Sipas ekspertizës në kohën kush ishte kryeipshkev i Mynihut, Joseph Ratzinger, nuk kishte ndërmarrë në katër raste asgjë kundër klerikëve të akuzuar për abuzime. Fillimisht Ratzinger kishte "mbajtur qëndrim refuzues" gjatë përpilimit të ekspertizës, por më vonë kishte ndryshuar qëndrimin duke u pozicionuar me hollësi me shkrim. Në atë prononcim Benedikti XVI e pati hedhur poshtë "kategorikisht" përgjegjësinë për akuzat, gjë që përpiluesit e ekspertizës e konsiderojnë si jo të besueshme.

Ish-Papa Benedikti XVI dhe Papa FranceskuFotografi: abaca/picture alliance

Sipas ekspertizës Joseph Ratzinger kishte mbajtur qëndrim të gabuar ndaj disa klerikëve, të cilët kishin kryer abuzime seksuale. Edhe pse këto raste ishin vërtetuar edhe prej gjykatave shtetërore, dy priftërinjtë vazhduan të mbahen në strukturat e kishës dhe kundrejt tyre u ndërmor asgjë bazuar në të drejtën kishtare. Po ashtu në ekspertizë vërehej, se nga ana e Ratzingerit nuk ka pasur ndonjë interesim të "dukshëm" për të folur me viktimat e abuzimeve.

Pak muaj para se të ndërronte jetë ish-papa Benedikt XVI përpiloi një letër të publikuar nga Vatikani dhe lexuar në një video në internet nga sekretari i tij privat Georg Gänswein. Në të Benedikti shpreh "turp të thellë", "dhimbje të madhe dhe "një lutje të sinqertë për ndjesë ndaj të gjitha viktimave të abuzimeve seksuale".

"Unë kam mbajtur përgjegjësi të madhe në Kishën Katolike. Edhe më e madhe është dhimbja ime për abuzimet dhe gabimet, që kanë ndodhur në kohën e shërbimit tim në vendet përkatëse ku ato kanë ndodhur", shkruan Papa. Njëkohësisht ai hodhi edhe një herë kategorikisht poshtë akuzat, se si kryeipeshkv i Mynihut (1977-1982) kishte mbuluar rastet e abuzimeve.

Deklarata u kritikua nga ekspertët dhe viktimat e abuzimeve. Sipas tyre "dekalara e ish-Papës u shtohet relativizimeve të vazhdueshme që i bën kisha çështjes së abuzimeve: abuzime dhe gabime kanë ndodhur, por askush nuk merr përgjegjësi konkrete."