Ish-presidenti turk Demirel ndërron jetë
17 Qershor 2015![](https://static.dw.com/image/18521600_800.webp)
Për një gjysmë shekulli Demirel ishte një nga figurat dominuese në politikën turke. Midis viteve 1960 dhe 1990, ai ishte shtatë herë kryeministër, para se ta kurorëzonte karrierën e tij politike në vitin 1993 me postin e Presidentit. Qeveria e tij u bë e njohur si nismëtare e një ndryshimi ekonomik dhe social, por edhe për nepotizëm dhe korrupsion.
Njeriu i panjohur në fushën politike Demirel
Demireli hyri në arenën politike kur ishte gati 40 vjeç. Në vitin 1960 qeveria e kryeministrit Adnan Menderes mori fund pas një grushti shteti ushtarak dhe si pasojë shumë ish-figura kryesore të politkës turke u ekzekutuan apo internuan duke lënë pas një vakuum. Kjo i dha hapësirë partisë së re të qendrës së djathtë "Partia e Drejtësisë", të kryesuar nga inxhinieri pa përvojë politike, Demirel.
Tranzicioni në moshën e industrisë
Stili i tij populist, përdorimi i simboleve islame dhe një politikë që e cila solli me vete standard më të lartë jetese për turqit, e bënë "Sulun" "bariun" sikurse e quanin Demirelin për shkak të prejardhjes së tij fshatare, shpejt një njeri të dashur për zonat konservatore fshatare. Qeveria Demirel arriti të kombinojë interesat e popullsisë fshatare me sfidat që ofronte epoka e industrializimit në Turqi. Por në fillim të viteve 1970 kur në vend pati trazira sociale, mandatit të tij të parë si kryeministër i dha fund një grusht ushtarak shteti.
Shtatë vjet president
Pasi u kthye në pushtet në vitin 1980 Demireli u gjend përsëri në një koalicion të paqëndrueshëm, i cili mori fund përsëri vetëm pas pesë vjetësh prej një grushti shteti. Vetëm në fillim të viteve 1990 Demireli arriti të kthehet në postin e kryeministrit para se të zëvendësonte në vitin 1993 Turgut Ozalin në postin e Presidentit turk. Këtë post e mbajti shtatë vjet deri sa në vitin 2000 doli zyrtarisht nga politika. Por zëri i tij kishte ende peshe. Në prill të të njëjtit vit ai u nderua nga presidenti atëhershëm gjerman Johannes Rau, me një medalje të veçantë të Republikës Federale të Gjermanisë, Kryqin e Madh për Merita.