Zypern Konflikt
16 Janar 2009Nga një puç i inspiruar nga junta greke në vitin 1974 u rrëzua nga pushteti presidenti qipriot, Makarios. Puçistët kishin planifikuar që ishulli t'i bashkangjitet Greqisë. Qeveria në Ankara për t'u dalë në mbrojtje turqve, të cilët banonin në ishull dha urdhërin që ushtarët të marshojnë për në veri të Qipros. Ndërrmarrja e këtij hapi u bazua në kushtetutën qipriote në të cilën pas pavarësimit në vitin 1960 si shtete garantuese përmendeshin tre shtete: Britania e madhe, Greqia dhe Turqia. Ndarja përfundimtare e ishullit ndodhi më vonë në vitin 1983, kur turqit shpallën si pjesë të tyre Republikën Turke të Qipros Veriore.
Qiproja veriore
Edhe sot e kësaj dite Qiproja Veriore nuk ka peshë diplomatike dhe ka në krye një president, i cili ka refuzuar prerazi çdo përpjekje për ribashkimin e ishullit. Rauf Denktash: "Fakt është: si Turqia ashtu edhe ne e kemi thënë qartë, se në cilat fusha nuk do të bëhen lëshime. Nuk mund të gjendet zgjidhje nëse provohet që nga dy popuj të ndarë të formohet një popull".
Në vitin 1990 Republika e Qipros jugore e njohur ndërkombëtarisht, parashtroi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kërkesa u miratua nga Brukseli në vitin 1993, por me një kusht - që më parë të tejkalohet ndarja. Megjithatë prej atëherë gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Qipriotët grekë refuzuan në një referendum të organizuar në vitin 2004 të ashtuquajturin 'Plani i Ananit për Ribashkim' të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan. Megjithë dështimin e shpresës për ribashkim, ishulli u pranua si anëtar i BE-së më 1 maj të vitit 2004. Kjo për shkakun, se Greqia kishte kërcënuar se do të bënte të dështojë zgjerimi i planifikuar me nëntë vende të reja të BE-së në rast se nuk do të pranohej edhe Qiproja, me këtë mendohej pjesa jugore e Qipros. Brukseli u dorëzua para këtij presioni.
Në këtë mënyrë Bashkimi Evropian ra ndesh me kriteret e veta të Kopenhagës. Ndër të tjera në to thuhet: "Si kusht për anëtarësim, vendi kandidat duhet të ketë një stabilitet institucional si garanci për një rend demokratik dhe ligjor, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave".
Shpresa për ribashkimin
Që nga shkurti i vitit 2008 janë rikthyer shpresat për një zgjidhje të konfliktit të Qipros. Pasuesi i presidentit, Papadopulos në jug, komunisti reformator, Dimitris Kristofias paralajmëroi një iniciativë te re për ribashkim. Qysh në pranverë janë hapur disa pikëkalime të brendshme kufitare me pjesën veriore. Dhe në shtator presidenti Kristofias u takua për herë të parë zyrtarisht me homologun e tij nga pjesa veriore, Mehmet Ali Talat. Në bisedime ishte i pranishëm edhe ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara Alexander Downer: "Padyshim kjo është një ditë historike për Qipron. Unë isha shumë i impresionuar nga negocitat, me çiltërsinë dhe vullnetin e mirë të shfaqur nga liderët e të dy grupeve popullore."
Ndërkohë palët janë takuar mbi dhjetë herë. Nga jashtë sinjalizohet optimizëm, por në prapaskenë ka vështirësi. Edhe pse në disa çështje të vogla është arritur kompromis dy çështjet e mëdha të ndërlikuara mbeten të pazgjidhura. Njëra ka të bëjë me reduktimin e rreth 35 mijë ushtarëve turq në veri dhe tjetra me formën shtetërore, të cilën duhet ta ketë Qiproja. Grekët parapëlqejnë një shtet federal me një qeveri qëndrore, ku do të përfaqësoheshin dy grupet popullore. Turqit nga ana tjetër dëshirojnë një lidhje shtetërore, e cila do të kishte dy qeveri pak a shumë të pavarura nga njëra-tjetra.