Islamistët radikalë shkaktojnë trazira në Tunizi
20 Maj 2013Në përleshjet midis forcave të sigurisë dhe mbështetësve të lëvizjes Ansar al-Sharia, në Tunizi humbi jetën një person. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme gjatë trazirave të së dielës janë plagosur rreth 20 njerëz të tjerë.
Deri te protestat erdhi pas ndalimit të një kongresi të salafistëve. Në shenjë proteste salafistët radikalë ngritën të dielën në periferi të kryeqytetit Tunis barrikada në rrugë, dogjën goma dhe hodhën gurë e kokteje molotov në drejtim të policisë. Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe plumba gome për shpërndarjen e tyre. Sipas një raporti të ministrisë së Brendshme si pasojë janë plagosur 11 pjestarë të policisë dhe tre demonstrues.
Takimi i grupit Ansar al-Sharia i cili ishte planifikuar të mbahej në të vërtetë në qytetin Kairouan ishte ndaluar nga Ministria e Brendshme për arsye sigurie. Mbështetësit e Ansar al-Sharias janë bërë përgjegjës më parë për sulmet ndaj ambasadës amerikane si dhe kanalave televizive të cilësuara si "tepër perëndimore". Ata kishin reaguar kështu ndaj videos fyese ndaj Pejgamberit Muhamed dhe transmetimin të një filmi gjoja blasfemues. Vet në qytetin Kairouan të dielën nuk kishte trazira.
Ansar al-Sharia ka kontakte me organizata terroriste
Për numrin e islamistëve të arrestuar gjatë protestave nuk ka ende informata zyrtare. Ndërsa sipas informacioneve të agjencisë shtetërore të lajmeve TAP, të paktën 20 njerëz janë arrestuar nga organet e rendit dhe sigurisë.
Kryeministri i Tunizisë Ali Larayedh ka deklaruar se as në të ardhmen nuk do të japë lejen për mbajtjen e kongresit të Ansar al-Sharisë. Grupi ka kontakte me organizata terrroriste prandaj në të ardhmen do të klasifikohet si një organizatë ilegale, tha ai. Shefi i këtij grupi Abou Iyadh tashmë po kërkohet nga forcat e sigurisë.Qeveria e moderuar islamike është distancuar qartë në muajt e fundit nga salafistët.
Ata refuzojnë demokracitë perëndimore dhe shohin një "rend islamist" të bazuar në ligjet islamiste (sheriat), si formën e vetme legjitime të qeverisjes dhe organizimit të jetës shoqërore.