1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ismail Kadare sjell "Pasardhësin" në gjermanisht

Mimoza Cika Kelmendi18 Shtator 2006

Romani "Der Nachfolger" (Pasardhësi) me nje sfond të njohur historik, shkruar nga Ismail Kadare dhe botuar këto ditë nga shtëpia botuese në Zyrih të Zvicrës "Amman", u prezantua para publikut gjerman

Ismail Kadare
Ismail KadareFotografi: dpa

Në fundjavë në muzeun e qytetit Borken afër Mynsterit, u bë prezantimi i romanit në gjermanisht të shkrimtari Ismail Kadare, "Der Nachfolger", Pasardhësi. I pranishëm ishte vetë shkrimtari Kadare dhe përkthyesi i veprave të tij Joachim Röhm, i cili para publikut gjerman bëri dhe prezantimin e autorit të romanit duke e cilësuar atë një shkrimtar me një imazh të madh ndërkombëtar, i përkthyer gati në të gjithë gjuhët e botës dhe fitues i një sërë çmimesh, ku veçoi atë më të fundit, para një viti, "Man Booker International". Në gjermanisht janë përkthyer nga ky autor, librat: "Dimri i madh,"Ura me tri harqe", "Pallati i ëndrrave", "Kështjella", "Prilli i thyer".

Pas leximit në shqip dhe gjermanisht të një pjese të romanit, Kadare sqaroi të ftuarit se qëllimi i shkrimit të romanit është problemi universal i krimit. "Tërë këto krime që përsëriten, në epoka të ndryshme, në kohë të ndryshme, shpesh është po ai. Krimi është një nga modelet më të vjetra të njerëzimit që nuk ndryshon, krimi shtetëror", tha Kadare.

I ndarë në disa pjesë si: "Dhjetori i vetëvrasjes", "Autopsia", "Kujtime te ëmbla", "Rrokullima", "Prijësi", "Arkitekti" dhe "Pasardhësi", ky roman i Kadaresë sjell në kujtesë një ndër enigmat më të mëdha në historinë e Shqipërisë, vdekjen misterioze të Mehmet Shehut, pasardhësit të Enver Hoxhes, trupi i të cilit u gjet me një plumb në zemër natën e 13 dhjetorit, në dhomën e tij të gjumit. Ende sot gati një çerek shekulli pas ngjarjes dhe 12 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, pas hapjes së arkivave dhe pas anketave të pafundme, misteri i vrasjes ka mbetur krejtësisht i pazbuluar.

"Misteri i vdekjes së kryeministrit shqiptar ka mbetur ende i mbyllur, por unë emrin e tij nuk e përmend fare në roman. Nuk ka rëndësi emri. Një lexues i ardhshëm pas dhjetë vitesh, ndoshta nuk e di fare se ka egzistuar një Mehmet Shehu... Shumica e romaneve në botë janë nisur nga ngjarje të rrokshme, të cilat janë harruar më pas. Historia, përshembull e Hamletit është një histori fare banale, është një histori fshati. Shekspiri ka bërë një tempull të madh të artit dhe asnjeri nuk interesohet më për historinë e fshatit ku zhvilllohet ngjarja e Makbethit. Ose historia e Faustit, gjithashtu është një histori shumë e thjeshtë, popullore. Por neve na intereson atë që ka shkruajtur Gëtja", theksoi në fjalën e tij Kadare.

Përse ky personazh edhe pse vetë është kriminel, të vjen keq për fundin e tij?- pyet një zonjë nga salla.

"Një libër qëndron ai që është, pavarësisht çfarë simpatie osë antipatie krijon lexuesi. S'ka të bëjë me artin. Në art ka të tjera ligje. Është një personazh shumë i njohur në letërsinë botërore, Agamemnoni, i përshkruar nga letërsia greke i pacilësueshëm, i pakualifikueshëm. Është edhe vrasës dhe i vrarë. Është edhe xhelat dhe viktimë. Edhe të vjen keq për të edhe e urren. Është si të thuash një model i madh për letërsinë se si letërsia është epike, e paanshme. Natyrisht kjo nuk aplikohet për të gjithë, përshembull as Stalini, as Hitleri nuk janë Agamemnon" sqaroi shkrimtari Ismail Kadare.

Gjithë mbrëmja u shoqërua edhe nga pjesë të kompozitorëve shqiptarë që u interpretuan nga studentët kosovarë, Pleurat Musa (pjanist), Lulzim Bucaliu(klarinetist) dhe Visar Kuc i(violinist ) që studjojnë në shkollën e lartë të muzikës në Mynster.