1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itali: Një person humb jetën gjatë një operacioni policor

21 Korrik 2026

Në qytetin e madh të Italisë veriore, një maroken humbi jetën ndërsa dy policë po e mbanin të shtrirë në tokë. Hetimet duhet të sqarojnë nëse në Bolonjë ka pasur një rast të përdorimit të tepruar të forcës nga policia.

Protestues në Bolonjë pas vdekjes së një personi gjatë operacionit policor
Vdekja e një personi gjatë operacionit policor trondit ItalinëFotografi: Thomas Cavagna/JNA/ZUMA/picture alliance

Në Itali, vdekja e një marokeni gjatë një operacioni policor po dominon titujt kryesorë të mediave. Veçanërisht në Bolonjë, ku Abderrahim Fakir vdiq të dielën (19.07.2026), u zhvilluan protesta. Në qendër të qytetit universitar u mblodhën mijëra vetë në protestë.

Pas manifestimit, i cili fillimisht ishte paqësor, disa pjesëmarrës hodhën shishe dhe kokteje molotov ndaj policëve. Gjithashtu u shkulën grilat mbrojtëse të automjeteve të blinduara të policisë. Si reagim, policia përdori pompa uji dhe gaz lotsjellës. Sipas shërbimeve të emergjencës, u lënduan shumë persona, si protestues ashtu edhe policë. Të paktën një automjet u përfshi nga flakët.

Protesta u tensionua në BolonjëFotografi: Michele Lapini/REUTERS

Kujtim i rastit George Floyd në SHBA

Sipas raportimeve të mediave italiane, policia ishte thirrur të dielën në mesditë për shkak të një burri që po shfaqte sjellje agresive. Kur policët mbërritën në vendngjarje, marokeni 42 ose 43 vjeç thuhet se kishte goditur makinën e patrullës.

Pas përdorimit të sprejit me piper, policët e rrëzuan në tokë, siç shihet në një video. Abderrahim Fakir bërtiti disa herë: "Ndihmë! Mjaft, mjaft!" Megjithatë, policët e liruan vetëm pas disa minutash, kur ai tashmë nuk po lëvizte më. Më pas, një mjek i urgjencës konstatoi vdekjen e tij.

Shumë njerëz në Itali po e krahasojnë këtë rast me atë të afro-amerikanit George Floyd, i cili vdiq në maj 2020 gjatë një ndërhyrjeje policore në Minneapolis, në Shtetet e Bashkuara.

Ndaj policëve të përfshirë në ngjarjen e Bolonjës janë hapur hetime paraprake për vrasje nga pakujdesia. Hetime po zhvillohen edhe ndaj personelit mjekësor, i cili sipas videos fillimisht vetëm e kishte vëzhguar situatën. Qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni premtoi "transparencë të plotë" në zbardhjen e rastit. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi e quajti ngjarjen "një tragjedi të madhe". Njëkohësisht ai theksoi: "Kushdo që shprehet me nxitim kundër forcave të policisë, nuk ka besim as te policia dhe as te drejtësia."

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini mbrojti veprimet e policisë. Sipas politikanit të partisë së djathtë Lega, policët "janë sjellë në mënyrë profesionale". "Unë jam gjithmonë në anën e policisë", nënvizoi ish-ministri i Brendshëm.

Një "njeri i respektueshëm" apo "i njohur për policinë"?

Hetuesit shpresojnë të marrin përgjigje nga autopsia e trupit të Fakirit. Gjithashtu, kamera trupore (bodycam) e një polici i është dorëzuar prokurorisë. Në posedim të autoriteteve ndodhet edhe videoja e filmuar nga një fqinj.

Marokeni jetonte në Itali prej më shumë se 30 vitesh dhe kishte dokumente të vlefshme qëndrimi. Sipas një sindikate policore, ai ishte i njohur për policinë për shkak të disa veprave penale. Nga ana tjetër, avokatja Barbara Spinelli, e cila e kishte ndihmuar në rinovimin e lejes së qëndrimit, e përshkroi atë si: "Një njeri të sjellshëm, të arsimuar mirë dhe të respektueshëm."

 

wa/se (dpa, afp, kna)

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW