1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itali: Procesi më i madh ndaj mafias, shqiptohen 200 dënime

21 Nëntor 2023

Në procesin më voluminoz ndaj mafies në Itali që prej më shumë se tri dekadash u shpallën dënimet me nga disa muaj deri në 30 vjet burg. Akuzat ishin nga kontrabandë droge deri në mitmarrje dhe tentativa për vrasje.

Pamje e tryezës së gjyqtarit në sallën e madhe - Gjyqtarët duke shqiptuar vendimet në "Procesin e Mafies" në Lamezia Terme
Gjyqtarët shqiptuan vendimet në "Procesin e Mafies" në Lamezia Terme, ku rreth 200 vetë u gjetë fajtorë.Fotografi: Valeria Ferraro/AP Photo/picture alliance

Ndër të dënuarit, emrat e të cilëve i lexoi për gati një orë e gjysmë kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Brigida Cavasino, janë krahas anëtarëve të 'Ndrangheta-s edhe ndihmës të mafies kalabreze në radhët e policisë, politikës dhe administratës. Nga gjyqi u shqiptuan dënime nga disa muaj deri në 30 vjet heqje lirie.

Në epiqendër klani Mancuso

Në të ashtuquajturin Maxi-Proces në një sallë gjyqi të sigurisë së lartë e konstruktuar në një magazinë mallrash në qytetin Lamezia Terme në rajonin jugor të Kalabrisë që prej janarit 2021 po shqyrtoheshin aferat e 'Ndrangheta-s. Në qendër në procesit ishin klani i fuqishëm Mancuso nga provinca Vibo Valentia si dhe mbështetësit e tij dhe ndihmësit e mbështetësve të tij.

Pamje nga jashtë e ish-depos së mallrave e konstruktuar në një sallë të madhe gjyqi nën masa të nivelit të lartë të sigurisëFotografi: Valeria Ferraro/AP Photo/picture alliance

Prokuroria për gjithsej 322 të akuzuarit kërkoi gati 5000 vjet gjithsej. Pikat e akuzës ishin që nga kontrabandë droge dhe krijim të një organizate mafioze deir tek larje parash, mitmarrje e tentativa për vrasje. Kundër një duzine bosësh të mafies prokuroria kërkoi dënimin maksimal me 30 vjet heqje lirie.

Rreth 200 të akuzuar u gjetën fajtorë dhe u dënuan, të tjerët u liruan. Vetëm katër mafiozë u dënuan konform kërkesës së prokurorisë me dënim maksimal. Një ndër të akuzuarit më të spikatur, 70 vjeçari ish-deputet në parlament, Giancarlo Pittelli, u dënua me 11 vjet heqje lirie – ndërsa prokuroria pati kërkuar 17 vjet.

'Ndrangheta i ka rrënjët e saj në Kalabri, por ndërkohë është aktive në rreth 40 shtete, ndër to edhe në Gjermani. Falë thuajse monopolit të saj, tregtisë europiane të kokainës, kjo është organizata mafioze më e pasur dhe më e fuqishme italiane që ka arritur të nënshtrojë edhe aparatin shtetëror.

Qindra persona u akuzuan për anëtarësi në rrjetin mafioz 'NdranghetaFotografi: Valeria Ferraro/AP Photo/picture alliance

Anëtarë të mafies shkelën paktin për heshtjen

Shumica e të akuzuarve, të dalë para gjyqit në Lamezia Terme, u arrestuan më 2019 në valën e një aksioni të koordinuar me kontrolle natën në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Bullgari. Procesi kundër 69 vjeçarit, shef i klanit, Luigi Mancuso, me pseudonimin "Daja", u shkëput vitin e kaluar nga procesi i përgjithshëm si çështje për t'u trajtuar veçmas. Përpara gjyqit qëndruan krahas anëtarëve të klanit edhe sipërmarrës, kryetarë bashkie, nëpunës dhe policë të niveleve të larta.

Procesi voluminoz i mafias u zhvillua në një sallë të madhe gjyqi të konstruktuar enkas në një ish-depo mallrash në Lamezia Terme të KalabrisëFotografi: Valeria Ferraro/AP Photo/picture alliance

Procesi voluminoz në Lamezia Terme, ku marrjet në pyetje të dëshmitarëve kanë zgjatur me mijëra orë u bë i mundur vetëm pasi dhjetra anëtarë të 'Ndrangheta-s' shkelën paktin e heshtjes, të ashtuquajturin Omerta.ndër ta edhe një nip i Luigi Mancusos. Dëshmitarët kryesorë treguan para gjyqit për fshehjen e armëve nëpër varreza dhe për kontrabandën me drogë me ndihmën e automjeteve të urgjencës duke përshkruar gjithashtu, se si 'Ndrangheta' shfrytëzonte për plantacionet e marihuanës rezervat e ujit të pijshëm të komunave.

Dëshmitarët përshkruajnë kërcënimet makabre ndaj njerëzve

Dëshmitarët përshkruan gjithashtu, se si 'Ndrangheta' kërcënonte njerëzit duke i frikësuar: përpara pragut të shtëpisë u hidheshin qen të ngordhur, kadavra delfinësh apo koka dhish, makinave u vihej zjarri dhe dyqanet plaçkiteshin. Mafiozët, sipas tyre, nuk stepeshin për asgjë duke i rrahur brutalisht kundërshtarët e tyre, ose duke i zhdukur ata pa lënë gjurmë.

 

 

 

nob/fab (afp, rtre)

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë