1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itali: Silvio Berluskoni largohet pa dëshirë

DW2 Maj 2006

Mos vallë rrezikon diktatura e shumicës? Kontradiktat politike në Itali spostohen tek zgjedhja e presidentit

Berluskonit i duhet të ikë
Berluskonit i duhet të ikëFotografi: AP

Romano Prodi erdhi, pa dhe fitoi, ndonëse me një diferencë të ngushtë. Silvio Berluskoni largohet, por padëshirë. Mosmarrëveshjet politike vazhdojnë.

"Ne kemi rënë dakord që në orën 12:30 të zhvillojmë mbledhjen e qeverisë dhe pas një ore e gjysmë unë do të shkoj tek presidenti, kështu kemi vendosur", - u shpreh Silvio Berluskoni, kryeministri që do të largohet. Diku tjetër dorëzimi i pushtetit do të ishte vetëm një veprim rutinë. Ndërsa Berluskoni me një deklaratë të tillë deri tani vetëm sa ka pranuar dështimin me një diferencë të ngushtë votash.

Njëkohësisht mosmarrëveshjet janë spostuar tek zgjedhja e presidentit. Mandati i Karlo Axelio Çampit përfundon pas dy javësh. Deri tani vlen: që 85 vjeçari nuk do të rikandidojë, madje as për një periudhë të shkurtër tranzicioni. Ndaj kampi i Berluskonit tani do që të ketë fjalën në zgjedhjen e re, duke tërhequr vëmendjen, se qendra e majtë do të mbulojë postet e presidentëve të dy dhomave të parlamentit. Sipas Berluskonit nëse edhe presidenti i shtetit do të jetë nga kampi i së majtës rrezikon diktatura e shumicës në Itali: "Ne do të propozojmë disa emra personash që i kanë rrënjët tek ne. Fjala është për kandidatë që mund të jenë garanci edhe për të majtën dhe që kanë nuhatje për drejtësi."

Një ndër ta është Xhani Leta, ministër shteti në kryeministri. Në kampin e qendrës së majtë ka shenja për një kandidaturë të demokratit të majtë Masimo d´Alema, që ka qenë i pari kryeministër postkomunist në Evropën Perëndimore. Por kjo mund të krijojë vështirësi. Ndaj disa mendojnë, se presidenti Çampi ndodhet nën presion, që përkundër dëshirës së tij brenda periudhës legjislative të detyrohet të ngarkojë në detyrë edhe qeverinë e re. Më 1 Maj Çampi bëri thirrje që të shmangen tensionet.

Fituesi i zgjedhjeve parlamentare Romano Prodi përpiqet të shmangë përshtypjen, sikur ai po insiston që presidenti ta ngarkojë atë me krijimin e qeverisë: "Unë nuk kam të drejtë t´i japë ndonjë afat presidnetit, seps ekëtë e vendos ai vet. Por natyrisht që më duhet të jem i përgatitur për rastin nëse ai do të vendosë. Më duhet të jem i përgatitur për këtë. Por s´kam asnjë iluzion sa u përket afateve."

Bisedimet për krijimin e kabinetit po ecin mjaft mirë, thotë Prodi. Edhe pse nuk është zgjidhur grindja për postin e ministrit të mbrojtjes. Por do të kalojnë edhe disa ditë, nisur nga fakti që presidenti nuk do të japë mandatin për krijimin e qeverisë pa biseduar me përfaqësuesit e të gjitha partive në parlament.

Dita e 1 Majit ishte një rast për qendrën e majtë që të profilizohet gjatë demonstratave. Manifestimet e mëdha të sindikatave u organizuan në Kalabri, ku u theksua, se qeveria e re do të synojë më shumë ndiham për të varfërit në Jug të vendit. Në Milano dhe Torino demonstruesit i fishkëllyen politikanët konservatorë që merrnin pjesë në manifestime. Roko Butilione ministri i kulturës në qeverinë Berluskoni: "1 Maji është fetsë e të gjithë italianëve. Kjo ditë nuk i përket vetëm një partie. Unë jam këtu për të theksuar këtë parim dhe rëndësinë qendrore të punës për të gjithë italianët, dhe jo vetëm për një pjesë të tyre."

Romano Prodi i dënoi fishkëllimat që iu adresuan politikanëve të qendrës së djathtë:"Më duhet të përsëris të njëjtën vendosmëri që e kam thënë në raste të ngjashme: Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, kjo nuk bëhet."