1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia kundër misionit të BE-së për refugjatët

21 Korrik 2018

Në debatin për migrimin, Italia po merr kurs kundër BE. Ajo po i vë pikëpyetje edhe misionit humanitar ushtarak të BE-së para Libisë. Shtrohet pyetja, nëse do të shpëtohen në të ardhmen njerëz nga anijet europiane?

Mittelmeer: Rettung von Flüchtlingen in Seenot
Fotografi: picture-alliance/SOS MEDITERRANEE/L. Schmid

Italia ngrihet kundër vazhdimit të misionit humanitar të marinës së Bashkimit Europian, „Sophia" të vënë në funksionim gjatë krizës së refugjatëve ara brigjeve libiane. Ambasadorët e BE për çështjet e sigurisë zhvilluan të premten një takim të posaçëm, sepse qeveria e Romës nuk do t‘i pranojë më migrantët e shpëtuar nga Mesdheu nga anijet e BE.

Zëdhënësja e Federica Mogherinit, të ngarkuarës së BE për politikën e Jashtme, u shpreh se po kërkohet një zgjidhje brenda verifikimit të planifikuar të këtij misioni. Pritet një zgjidhje brenda pesë javësh.

Anijet e BE kanë shpëtuar 49.000 vetë

Italia e sheh si problematike tanimë edhe ndihmën e një anijeje të marinës gjermane, pjesë e misionit të BE. Qeveria e Romës në vitin 2015, ra dakord që të pranojë në kuadër të misionit të BE-së në portet italiane migrantët e shpëtuar në Mesdhe. Atëherë nuk mendohej se misioni i planifikuar si luftë kundër kriminalitetit të trafikantëve do të shpëtonte kaq shumë vetë në Mesdhe. Deri tani janë shpëtuar nga këto anije më shumë se 49.000 vetë.

Fotografi: picture-alliance/Zumapress/I. Romano

Nuk dihet nëse do të gjendet shpejt një zgjidhje në këtë debat. Kryeministri italian, Giuseppe Conte i dërgoi një letër presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ku kërkon revizionin e misionit „Sophia". Ndërsa ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, kreu i Lega Nord, kërkoi në fillim të korrikut që të mos lejohet më automatikisht ankorimi i anijeve të misionit të BE në portet italiane.

 

la/ (dpa, rtr)