1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia mund Australinë dhe Ukraina Zvicrën me penallti

Elert Ajazaj27 Qershor 2006

Italia dhe Ukraina do të ndeshen në çerekfinale

Ukrainasit festojnë kualifikimin për në tetëshe
Ukrainasit festojnë kualifikimin për në tetësheFotografi: AP

Francesco Totti i siguroi Italisë fitoren në sekondat e fundit të ndeshjes kundër Australisë. Ai shënoi me njëmbëdhjetëmetërsh në një kohë që italianët me dhjetë lojtarë nuk kishin rrezikuar seriozisht në pjesën e dytë. Njëmbëdhjetëmetërshi u morr në një aksion të përkryer nga mbrojtësi i krahut të majtë Fabio Grosso, ndaj të cilit ndërhyri në mënyrë të parregullt Lucas Neill.

Mbrojtësi italian Marco Materazzi u nxorr në të 47-ën me karton të kuq nga loja për shkak të një foulli ndaj australianit Marco Bresciano. Vendimi i gjyqtarit ishte mjaft i diskutueshëm. Që nga ky çast ishte Australia, e cila krijoi më shumë trysni dhe italianët u përqendruan në mbrojtje. Trajnerit italian Lippi nuk i mbeti gjë tjetër veçse të zëvendësonte sulmuesin Luca Toni me mbrojtësin Andrea Barzagli.

Pjesa e parë ishte dominuar nga italianët. Toni kishte rastet më të shumta për shënim. Ja se si u shpreh pas kualifikimit trajneri italian Marcello Lippi:

"Pjesa e parë u dominua prej nesh. E kishim bllokuar hapësirën. Nuk lejuam asnjë gjuajtje, as nga larg. Në pjesën e dytë dhjetë lojtarë me njëmbëdhjetë natyrisht që kishim vështirësi, por edhe atëherë nuk u lamë hapësirë, lejuam shumë pak raste. Derisa erdhi mundësia jonë e madhe, njëmbëdhjetëmetërshi në fund. Jam tejet i gëzuar për fitoren."

Nga fundi i kohës së rregullt, derisa të gjithë prisnin kalimin në kohën shtesë ishte Totti që realizoi penalltinë dhe loja mbaroi këtu. Totti kishte ardhur në lojë vetëm në minutën e 75-të duke zëvendësuar Alessandro del Pieron.

Ndeshja e dytë e ditës së djeshme Zvicër / Ukrainë u takonte atyre më pak interesante. Me përjashtim të dy shtyllave, njëra nga Shevçenko me kokë dhe një e Freyt me goditje të lirë rastet për shënim ishin të rralla. Ekipet neutralizuan njëra-tjetrën. Edhe koha shtesë nuk rezervoi ndonjë të veçantë. Si pasojë për të parën herë në këtë kampionat vendosën njëmbëdhjetëmetërshat. Këtu vazhdoi paaftësia e lojtarëve për të mposhtur portierët. Dy njëmbëdhjetëmetërshat e parë u pritën nga portierët. Ukraina kaloi më pas në avantazh dhe e ruajti atë deri në fund. Zvicra nuk shënoi asnjë herë të vetme në tri goditje. Si rezultat në çerekfinale Ukraina do të takohet me Italinë.

Gjermania po përgatitet për ndeshjen e vet kundër Argjentinës. Në takimin e fundit me Suedinë sulmuesi i ri Lucas Podolski ishte autori i të dy golave. Ja se u shpreh ai në konferencën e përditshme për shtyp për përballjen e kundërshtarin e radhës:

"Argjentinasit luajnë futboll të mirë. Skuadra të tilla më përshtaten. Parapëlqej të luaj kundër të fortëve. Të dobëtit vetëm mbrohen."