1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia në krizë - Vendi pa fëmijë

4 Shtator 2019

Nataliteti në Itali ka rënie rekord. Rinia ka humbur besimin tek e ardhmja. Tani po krijohet qeveria e 66 brenda 73 vitesh. Borxhet e shtetit dhe papunësia janë të larta. Gjithnjë e më pak italianë mendojnë për bambini.

Symbolbild Deutschland Grundgesetz Familie
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Balk

Mbesa e vogël Livia një vjeç është gjithçka për Luisa-n. Ajo e quan mbesën e saj të vetme plot dashuri „La Bimba". Çdo verë familja e saj i kalon javët e nxehta të verës në bregdet pranë Romës. E Nonna Luisa ka mall për harenë e fëmijëve dhe familjen e madhe  -  sikurse ka qenë dikur në Itali, na thotë: „Për ne familja ka qenë gjithçka për të cilën kemi sakrifikuar jetën! Nuk ka kuptim, kur nuk ke nipër e mbesa, kur nuk ka famijë, të cilëve të mund t'ia pasojmë trashëgiminë tonë."

Por sot Italia ka ndryshuar. Kuota e natalitetit prej vitesh është ndër më të ulëtat në Europë. Nonna Luisa e di, që ajo ka fat me Livian e vogël. Vajza e saj Serena ishte 39 kur e lindi atë.

Serena e punësuar në aeroport e ka të thjeshtë shpjegimin: Fajin e ka politika. Asnjë qeveri në njëzet vitet e fundit nuk ka ndjekur një politikë moderne për familjen, me lehtësi jetese për nënat në marrëdhënie pune, thotë ajo: „Nëse në aeroportin e Romës do të kishte pasur një çerdhe fëmijësh, ku mund ta çoja unë vajzën time, atëherë unë do të kisha preferuar që qysh në ditën e parë pas lindjes të rifilloja punën. Por kjo ishte e pamundur.

Fëmijët shihen si barrë, kur mungon siguria financiare...Fotografi: picture alliance / Markus C. Hurek

Nëna Luisa vëren, që fëmijët e saj - si shumë të rinj të tjerë në Itali - nuk kanë vendosmëri për ta marrë vet jetën në dorë. Djali Enrico vërtetë ka një punë në një farmaci, por ai ende nuk e ka krijuar familjen e vet. „Brezi i fëmijëve të mi nuk ka më një perspektivë të mirë. Atyre u mungon një projekt i besueshëm për të ardhmen. Jo vetëm sepse ka gjithnjë e më pak punë dhe shteti ua vështirëson jetën, por të rinjtë italianë kanë humbur qëndrueshmërinë, që na karakterizonte neve dikur!"

Luisa kujton me nostalgji kohët e fëmijërisë së saj: "Më kujtohet ende vështrimi i tezeve të mia, ato na përqafonin ne fëmijëve dhe na jepnin dashuri e ndjenjën, se me ne jeta fillon sërish."

Këmbimi i roleve

Çfarë nuk shkon në Itali?! Sociologët vëzhgojnë, se brezat e dekadave të fundit i kanë këmbyer rolet.
Raffaella CAso, pranë Institutit Kërkimor Eurispes vëren: "Sot nuk ndihmojnë më të rinjtë të moshuarit, por anasjelltas. Gjyshërit ua kalojnë trashëgiminë në imobilje apo kursimet nga pensioni nipërve e mbesave të tyre ose u paguajnë atyre qiranë apo kopështin e fëmijëve."

Lido Ostia pranë RomësFotografi: picture-alliance/K.Schöndorfer


Italianet lindin mesatarisht në moshën 33 vjeç, nëse ato lindin një fëmijë, ato janë më të moshuara krahasuar me europianet e tjera. Shumë gra e burra nuk i shohin më fëmijët si një bekim për jetën e tyre, por si barrë. Enrico, djali i Luisa-s: „Jeta është mjaft e ndërlikuar mes punës, taksave dhe shpenzimeve. Ato pak orë që mbeten të lira në ditë ti do të çlodhesh, të mendosh për veten e të dalësh me miqtë. Një fëmijë të bëhet pengesë për të gjitha këto."

Enrico-s i pëlqen që është bërë dajë dhe sa herë ka mundësi viziton mbesën e vogël dhe motrën e tij. Familja është e rëndësishme për të, por jo një fëmijë i veti! 42-vjeçari preferon çdo ditë para se të nisë punën në farmaci që ta hajë drekën tek mamaja. Luisa kishte menduar një tjetër të ardhme për fëmijët e saj: „Vërtetë të realizuar nuk e shoh as vajzën e as djalin tim. Serena ndonëse ka studiuar, çfarë merr ajo sot?! Vetëm një punë të paguar keq në një shoqëri ajrore. Shumë vite e kam mbështetur atë financiarisht. Mirë që u martua. Po Enrico?! Hiç gjë?! Edhe për të kisha përfytyruar një të ardhme ndryshe!"
Luisa është e zhgënjyer nga Italia me 66 qeveri në 74 vitet e jetës së saj. Këto qeveri kanë prodhuar shumë kriza dhe pak të ardhme për vendin - pak për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të Livias, mbesës së saj të vogël.