Italianët kampionë bote
10 Korrik 2006Italia fitoi për të katërtën herë titullin kampione e botës. Ata janë tani të dytët në renditjen e vendeve më të suksesshme pas Brazilit. Në finale italianët mundën 5:3 me penallti Francën:
Fabio Grosso ish-lojtar i Palermos dhe nga sezoni i ardhshëm i Interit shndërroi njëmbëdhjetmetërshin e fundit - si në gjithë turneun ai ishte vendimtar për azzurrit. Mori penalltinë në sekondat e fundit kundër Australisë, shënoi në minutën e fundit kundër Gjermanisë dhe tani kundër Francës realizoi penalltinë e fundit.
"Është thjesht fantastike; ndjenja më e fuqishme që mund të përjetojë një futbollist apo trajner. Kjo është fitorja më e madhe që ekziston. Unë kam fituar si trajner ligën e kampionëve, shumë tituj kampion kombëtar, por një gëzim kaq të madh si për fitimin e kupës së botës nuk kemi provuar kurrë."
Koha e rregullt e ndeshjes ishte mbyllur 1:1. Zinedine Zidane shënoi për Francën në mënyrë spektakolare nga pika e njëmbëdhjetmetërshit në minutën e shtatë. Malouda kishte depërtuar në zonën italiane duke u rrëzuar pas një kontakti me mbrojtësin Materazzi. Akordimi i njëmbëdhjetmetërshit ishte i diskutueshëm. Megjithatë i madhi Zidane që luante ndeshjen e tij të fundit ndërkombëtare u kthye në figurën tragjike të finales.
Dhjetë minuta para mbarimit të kohës shtesë me një aksion të pakontrolluar ai i shkaktoi Francës dëmin më të madh. Duke goditur fuqishëm me kokë në gjoks Marco Materazzin ai nuk kishte sesi t'i shpëtonte kartonit të kuq të gjyqtarit të shkëlqyer argjentinas Horacio Elizondo. I pa vënë re nga treshja e gjyqtarëve në fushë, ishin gjyqtarët jashtë fushës ata që i sinjalizuan Elizondos veprimin e francezit. Vetëm pak çaste më parë Zidane mund të kishte vulosur fitoren e Francës kur u nxorr i lirë me kokë pas një harkimi të Franck Ribery-së.
Materazzi kishte barazuar për italianët në të 19-ën me kokë pas një goditje këndi të shkelmuar nga Andrea Pirlo. Në përgjithësi italianët kishin epërsi në pjesën e parë ku Toni goditi edhe një herë traversën e portë së Barthez-it, ndërsa pjesa e dytë dhe koha shtesë u dominuan prej francezëve. Humbja e Zidane-it ishte ndoshta deçizive për francezët - pa kapitenin e tyre të zakonshëm dhe ekzekutuesin e jashtëzakonshëm ndoshta u mungoi siguria. Mbrëmja e kaluar do ta mundojë një herë kampionin e botës.