1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ITB 2012: Faktori ekonomik turizëm

7 Mars 2012

Pushimet dihet që janë javët më të bukura të vitit. Gjithnjë e më shumë njerëz tërhiqen në këtë kohë për të bërë udhëtime. Kjo e gëzon industrinë e turizmit, e cila rihap në Berlin (07.03.2012) Panairin e Turizmit.

Pastrim i një maske të Tutanchamun-it në Egjipt
Pastrim i një maske të Tutanchamun-it në EgjiptFotografi: picture-alliance/dpa

"Kemi sjellë diellin me vete në Berlin", bën shaka ministri egjiptian i Turizmit, Mounir Fakhry Abdel Nour dhe tregon me gisht lart. Me të vërtetë, një qiell i kaltër shihet kudo mbi territorin e panairit në Berlin. Këtë të mërkurë (07.03.2012) këtu nis edhe njëherë Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, panairi më i madh i këtij lloji në botë. Egjipti është këtë vit vend partner i turizmit dhe Abdel Nour ka ardhur në Berlin për të bërë publicitet. Egjipti është një destinacion i artë, thotë ai me entuziazëm. Janë të rralla vendet, të cilat u ofrojnë turistëve, veç 360 ditëve me diell kaq shumë kulturë, plazh dhe aventura.

"Turizmi është prej më shumë se një dekade një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Egjiptit. Një në shtatë vende pune në Egjipt varet nga turizmi. Me të ardhura prej 12,5 miliardë dollarësh në vitin 2010 turizmi ishte dega e dytë për nga vëllimi i të ardhurave. Prandaj zhvillimi i tij do të mbetet një prioritet i politikës, pavarësisht se kush është në pushtet."

Industria e turizmit përjeton bum, siç mund të shihet në ITB. 10.664 ekspozues nga 187 vende janë dyndur në 26 sallat e mbushura plot. ´Vëmendje të veçantë i ka kushtuar prezantimit të saj edhe Greqia. Përballë gjendjes dramatike ekonomike ky vend vazhdon të jetë i varur nga të ardhurat e turizmit. Por vazhdimi i trazirave në Greqi i frikëson shumë pushues. Gjermanët, për shembull, të cilët këtë vit pritet të jenë kampionë bote për urdhëtime, megjithë krizën do të shkojnë më shumë në Spanjë, Kroaci dhe në Turqi, se sa në Greqi. Jürgen Buchy, president i Shoqatës Gjermane të Udhëtimeve (DRV) ka megjithatë shpresë:

Mounir Fakhry Abdel Nour, ministri egjiptian i TurizmitFotografi: picture-alliance/dpa

"Një deklaratë përfundimtare, si do të zhvillohet vera në Greqi ende nuk mund të bësh. Greqia mund të llogarisë besnikërinë e shumë pushuesve dhe pikërisht në verë është një nga 10 vendet e preferuara të udhëtimeve. Duhet thënë se nga trazirat në Greqi, në ishujt dhe në plazhet e Peloponesit nuk ndihet gjë dhe atje shkojnë më shumë turistë."

Verën e kaluar Greqia mund të përfitonte nga fakti se në Afrikën e Veriut donin të shkonin më pak turistë.Por pas zgjedhjeve më shumë njerëz venë në Tunizi dhe kjo vërehet edhe në shifrat e prenotimeve.

Autor: Sabine Kinkartz/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica