1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

Pas shpërthimit të pagerëve rrezik i shpërthimit të luftës

19 Shtator 2024

Të martën, qindra pager shpërthyen në Liban, një ditë më vonë shpërthyen një numër i madh radiomarrësesh, Walkie-Talkie. Si do të reagojë Hizbollahu dhe a mund të përshkallëzohet konflikti me Izraelin?

Mbërrin një ambulancë në Bejrut, kur shpërthyen qindra pager që shkaktuan disa viktima, grumbull njerëtish, ushtria dhe ambbulancae bardhë
Mbërrin një ambulancë në Bejrut, kur shpërthyen qindra pager që shkaktuan disa viktimaFotografi: FADEL ITANI/AFP

Të paktën dymbëdhjetë të vdekur dhe rreth 2800 të plagosur, shumë prej tyre anëtarë të milicisë së Hizbollahut shiit, mes tw plagosurve edhe ambasadori i Iranit në Liban, Moshtaba Amani: Ky është rezultat i shpërthimit masiv të njëkohshëm të qindra pager-radiomarrësve në pjesë të ndryshme të Libanit.

Hizbollahu përdor të ashtuquajturit pager - pasi ndryshe nga telefonat celularë, ata nuk mund të lokalizohen. Sipas raportimeve të mediave, Izraeli mund të ketë kapur pagerët e markës Gold Apollo që tani kanë shpërthyer pa u vënë re dhe i kanë pajisur ata me eksplozivë. Pajisjet e përgatitura më pas iu dorëzuan Hezbollahut dhe me sa duket u shpërthyen në një mënyrë të synuar. Ata, si dhe aleati i tyre Irani, fajësojnë Izraelin për këtë veprim.

Të mërkurën, një ditë pas shpërthimit të pagerwve, një valë shpërthimesh me telekomandë tw "Walkie-Talkie" vrau të paktën tre persona dhe plagosi më shumë se njëqind të tjerë. Kjo u konfirmua nga agjencia libaneze e lajmeve Ani dhe gjithashtu autoritetet.

Shpërthime të tjera këtë herë të Walkie-Talkie Fotografi: ANWAR AMRO/AFP

Aksione izraelite?

Izraeli nuk e ka pranuar zyrtarisht përgjegjësinë për veprimet deri tani. Megjithatë shpërthimet ndodhën në kontekstin e konfrontimit të dhunshëm mes Izraelit dhe Hezbollahut që që nga 7 tetori i vitit të kaluar. Në atë kohë, militanti islamik Hamas, i cili klasifikohet si organizatë terroriste në Gjermani, BE, SHBA dhe disa vende të tjera, sulmoi territorin izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 vetë. Në solidaritet me Hamasin, Hizbollahu bombardoi zonën kufitare në Izraelin verior. Mbi 60,000 izraelitë u larguan nga shtëpitë e tyre. Nga ana tjetër në anën libaneze rreth 110,000 njerëz u desh të zhvendoseshin në pjesë të tjera të vendit.

Edhe mediat izraelite kryesisht supozojnë se Izraeli është përgjegjës për sulmin. Sipas gazetës Haaretz, vendimi për të shpërthyer pagerët është marrë në një kohë shumë të shkurtër. Aksioni fillimisht supozohej të ishte kryer në fillim të përballjes më të madhe të pritshme. Por me sa duket dy milicë të Hizbollahut kanë kuptuar, se pagerët ishin të manipuluar, ka shkruar Haaretz. Kështu u vendos që të shpërthenin pagerët para kohe. Ky sulm bëri të qartë se "njësitë operacionale të Hizbollahut mundën të infiltroheshin  plotësisht dhe u dëmtuan rëndë", shkruan Haaretz. "Kjo rrit ndjenjën e pasigurisë brenda organizatës dhe ka të ngjarë të dëmtojë sistemin e komandës dhe kontrollit në të ardhmen e afërt."

Shpërthime të pager në BejrutFotografi: Balkis Press/ABACA/IMAGO

Dështim i diplomacisë

Nga këndvështrimi i Izraelit, operacioni zhvillohet në sfondin e pamundësisë së një marrëveshjeje diplomatike me Hizbollahun, thotë Gil Murciano, drejtor ekzekutiv i Institutit Izraelit për Politikat e Jashtme Rajonale (Mitvim). Pagerët me sa duket u desh të shpërthenin më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. "Por përballë një konflikti të pazgjidhur, me gjasë në zgjerim, ky aksion  duhet t'i tregojë Hizbollahut, se Izraeli tashmë e sheh situatën aktuale si një luftë të hapur. E gatishmëria për të përshkallëzuar është pjesë e kësaj lufte. Nuk ka të bëjë thjesht me shansin e një mundësie operacionale. Por Izraeli po tregon se do të marrë të gjitha masat e mundshme për të kufizuar fuqinë luftarake të Hizbollahut”.

Se si do të reagojë Hezbollahu tani nuk dihet saktë, thotë gazetari që jeton në Bejrut, Ronnie Chatah, drejtues i faqes së internetit The Beyruth Banyan. Megjithatë ai pret që milicët e Hizbollahut pavarësisht viktimave civile dhe pavarësisht vuajtjeve të mëdha njerëzore të përmbahen e të mos ndërmarrin një hakmarrje në shkallë të gjerë. "Pas 7 tetorit, të gjitha palët janë të kujdesshme që të mos kthehen në një skenar si ai i korrikut 2006 (në atë kohë, Izraeli dhe Hezbollahu ishin në luftë për rreth një muaj, shën. red.) apo Lufta e Libanit e vitit 1982." Kjo është arsyeja pse lufta ka të ngjarë të vazhdojë të kufizohet në objektivat ushtarake. "Hizbollahu nuk do të bëjë asgjë që mund ta zgjerojë luftën përtej kësaj”.

Sulm me raketa drejt Izraelit nga jugu i LibanitFotografi: JALAA MAREY/AFP

Roli i SHBA

Aksioni i shpërthimit u zhvillua në një kohë kur Amos Hochstein, një këshilltar politik i presidentit amerikan, Joe Bidenndodhej në rajon. Për të shmangur një luftë të afërt midis Izraelit dhe Hizbollahut libanez, ai zhvilloi bisedime në Izrael në fillim të javës me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. Qëllimi i bisedimeve ishte të bindte udhëheqjen izraelite që të mos fillonte një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër Hezbollahut. Hochstein më pas do të udhëtonte për të biseduar me përfaqësuesit e qeverisë libaneze. Sipas planit, ata më pas duhet të gjenin ujdi me Hizbollahun. Me sa duket Hochstein nuk dinte asgjë për shpërthimin e afërt të pagëveve. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Gallant kishte informuar kolegun e tij amerikan Lloyd Austin për një sulm të afërt, por nuk kishte dhënë detaje.

Ky aksion nuk ka për t'i tensionuar marrëdhëniet midis Izraelit dhe SHBA-së, thotë Gil Murciano. "Amerikanët thanë se nuk ishin të informuar për sulmin. Dhe se prioriteti i tyre është që të ndërmjetësojnë në rajon."

Megjithatë, SHBA-të e kanë një problem, thotë gazetari. Ronnie Chatah: ata nuk kanë një person kontakti në Liban. "Nuk ka përfaqësues, nuk ka asnjë politikan që do të ishte në gjendje t'i jepte fund konfliktit në një mënyrë që do të përfitonte vendi. Po ashtu  asnjë nga këta politikanë nuk është në gjendje të bindë Hezbollahun të ndërrojë rrugë. Nga ana tjetër, më duket se as izraelitët nuk i marrin gjithmonë parasysh shqetësimet amerikane."

Si do të ecin zhvillimet më tej në rajon nuk mund të parashikohet. Gazeta izraelite, Haaretz nuk është shumë optimiste. "Sulmi, i cili i atribuohet Izraelit, ekspozoi dobësinë e Hezbollahut dhe poshtëroi liderët e tij”, shkruan gazeta në faqen e saj të internetit. "Ky nuk është ai lloj incidenti që çon në një fund paqësor në Lindjen e Mesme."

Bashkëpunoi: Rola Farhat, Beirut.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë