1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli dhe shtetet arabe bisedojnë për herë të parë për iniciativën arabe

Rajner Zolih12 Maj 2007

Izraeli dhe përfaqësues të shteteve arabe u takuan sot në Kairo për herë të parë për të zhvilluar bisedime për iniciativën arabe të Lindjes së Afërt. Ministrja e jashtme e Izraelit Zipi Livni, foli pasi mbërritjes për një takim historik

Tzipi Livni dhe Frank Walter Steinmeier në Izrael, 7 maj 2007
Tzipi Livni dhe Frank Walter Steinmeier në Izrael, 7 maj 2007Fotografi: AP

Të flasësh për një takim historik do të ishte e parakohshme. Ministrja e jashtme e Izraelit, Zipi Livni i përdori këto fjalë në Kairo me siguri si shenjë të dëshirës së saj të mirë. Megjithatë, takimi i saj me ministrat e jashtëm të Jordanisë dhe Egjiptit përshtatet në një lumë deklaratash dhe iniciativash, të cilat në fakt mund të të ngjallin shpresa për një kapërcim të konfliktit izraelito-arab, nëse gjendja në politikën e brendshme të Izraelit dhe në zonat palestineze të mos ishte kaq problematike.

Kjo në një kohë kur kushtet rajonale dhe ndërkombëtare kuadër janë kaq të favorshme, sa nuk kanë qenë prej kohësh: sfida nga fuqia ambicioze rajonale Iran u ka sjellë shqetësime edhe shumë regjimeve sunite në rajon dhe e ka spostuar fokusin në politikën e tyre të sigurisë. Presidenti ende i ri i Sirisë, Bashar el Asad mund ta konsolidonte sundimin e tij përmes rifitimit të Lartësive Golan, të pushtuara nga Izraeli. Dhe presidenca gjermane e BE ka arritur që me njëfarë suksesi të rigjallërojë kuartetin e Lindjes së Afërt, të përbërë nga BE, Rusia, OKB-ja dhe fuqia botërore SHBA.

Me iniciativën e re të paqes të Arabisë Saudite të vitit 2002, në tryezë është vërtet një bazë e mirë për negociata: me siguri që Izraeli nuk do të pranojë cdo pikë të saj. Por ajo është mjaft afër me përfytyrimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe p.sh. në konfliktin e Palestinës ajo mbështetet në zgjidhjen me dy shtete, duke përfshirë edhe njohjen e Izraelit.

Ministrja e jashtme e Izraelit, Livni e vlerësoi këtë në Kairo edhe më qartë se kryeministri Ehud Olmert. Kjo duhet lëvduar, por ndoshta jo me ndonjë vlerë të madhe: askush nuk e di, se edhe për sa kohë do të qëndrojë në post Olmerti dhe se cila është e ardhmja politike e Livnit. Edhe në anën palestineze ka mungesë stabiliteti: qeveria e unitetit e përbërë nga Fatahu me drejtim laik dhe nga Hamasët islamikë funksionon me fërkime të mëdha. Zgjedhje të reja edhe këtu nuk përjashtohen. Presidenti palestinez Mahmud Abas vërtet që është i gatshëm për kompromise me Izraelin, por pushteti i tij është tepër i kufizuar. Kësaj i shtohet edhe dhuna nga të dyja anët dhe deklarata tepër kontraproduktive nga ana e Izraelit për ta vazhduar ndërtimin e kolonive hebreje në Jeruzalemin Lindor.

Kjo në një kohë, kur konflikti bazë rreth Izraelit e Palestinës dhe e gjithë kontradikta izraelo-arabe do të kishin qenë padyshim të zgjidhshme, po të bihej dakord për kufijtë e vitit 1967, nëse palestinezët do të binin dakord për një dëmshpërblim për refugjatët, në vend që të ngulin këmbë për kthimin e tyre dhe nëse Izraeli hiqte dorë nga pretendimi i tij për Jeruzalemin Lindor. Por përvoja megjithatë mëson se paqja në Lindjen e Afërme mund të arrihet vetëm nga persona me mbështetje të fortë politike. Por politikanë të fortë nuk duken aktualisht as në Izrael dhe as në Palestinë.