Izraeli kërkon të shtohet presioni mbi Iranin
28 Shtator 2012Nuk ka kërcënim më të madh për botën, se një Iran i armatosur me armë bërthamore, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu para Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork. Izraeli ndihet i kërcënuar në ekzistencën e tij nga programi bërthamor i Iranit. "Tregojini Iranit një linjë të qartë të kuqe", kërkoi ai nga bashkësia ndërkombëtare, duke iu drejtuar kryesisht aleatëve, SHBA-së. "Koha nuk pret më!" Negociatat me qeverinë në Teheran, që vazhdojnë prej vitesh, nuk kanë sjellë asgjë. Edhe pse sanksionet kanë goditur rëndë Iranin, tha Netanjahu në prezantimin e tij shumë të vendosur. "Por programin bërthamor nuk kanë mundur ta ndalin."
Leksion me laps të kuq
"Ja se po ua tregoj - kjo këtu është bombë". Në mes të fjalës së tij kryeministri izraelit nxori një paraqitje grafike, që e kishte sjellë në një kuti të madhe kartoni. Ai i paraqiti Asamblesë të Përgjithshme, që ndiqte e çuditur, vizatimin e një bombe me një fitil të zgjatur - një bombë bërthamore, në të cilën, sipas prezantimit të Netanjahut, po punon Irani.
Irani e ka kapërcyer të parën nga të tri shkallët, për të dytën po punohet: "Në pranverën, ose verën tjetër Irani do të përfundojë pasurimin e uraniumit për bombën e parë." Pikërisht këtë dështiron të parandojë Izraeli: "Ne duhet t'i vëmë një linjë të kuqe pasurimit e uraniumit nga Irani", tha Netanjahu dhe shënoi linjën me një laps të madh të kuq.
Kërcënim indirekt me sulm
Pse përse pasurimi i uraniumit është për të çelësi, kryeministri izraelit e shpjegoi kështu: Pasurimi i uraniumit bëhet në impiante të mëdha dhe ata mund të "vihen në shënjestër", pra mund të goditën ushtarakisht. Një punishte e vogël, në të cilën për shembull montohet ndezësi i bombës, "nuk mund të gjendet në një vend, që është sa gjysma e madhësisë së Evropës." Demonstrimi i vijës së kuqe do të bëjë që Irani të pendohet, është i bindur Netanjahu. "Dhe atëherë ne do të kemi më shumë kohë për diplomaci".
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha pas fjalimit të Netanjahut, se Gjermania ndan shqetësimin me Izraelin. Një armatim bërthamor i Iranit është i papranueshëm. "Ne duam një zgjidhje diplomatike, ajo është ende e mundur." Nuk bën të luhet me kohën", paralajmëroi Westerwelle qeverinë iraniane.