Janukoviç kërcënon, Banka Botërore premton ndihma
11 Mars 2014 Parlamenti i Ukrainës ka paralajmëruar parlamentin e Krimesë për pasojat e mundshme të referendumit të ditës së diel, për shkëputjen e Krimesë dhe bashkimin e mundshëm të saj me Rusinë. Ndërsa ish presidenti prorus i këtij vendi, Viktor Janukoviç tha se Krimeja do të vendosë në referendumin e ditës së diel (16.03.2014) për shkëptujen nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë. Nga qyteti rus Rostov, Janukoviç porositi se ai edhe më tej e konsideron veten president të Ukrainës dhe se "zgjedhjet e parashikuara të mbahen më 25 maj janë ilegale". Në paraqitjen e tij të dytë publike prej largimit nga Ukraina, Janukoviç deklaroi para gazetarëve se "ndihmat financiare amerikane për qeverinë në Kiev janë ilegale", sepse "as Kushtetuta amerikane nuk e lejon financimin e banditëve".
Ndihmat e Bankës Botërore
Ndërkohë edhe Banka Botërore ka vendosur që gjatë këtij viti të ndihmojë Ukrainën e kërcënuar nga falimentimi me rreth tre miliardë dollarë (rreth 2,2 miliardë euro). Shefi i Bankës Botërore Jim Yong Kim deklaroi në Uashington se qeveria në Kiev duhet të mbështetet për realizimin e reformave të domosdoshme dhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Paratë e premtuara duhet të miratohen edhe nga drejtoria e Bankës Botërore. Ky institucion i rëndësishëm financiar ka vlerësuar se "ekonomia e Ukrainës gjendet para sfidave të mëdha".
Qëllimi Bankës Botërore është që me këto ndihma ta forcojë sistemin bankar në Ukrainë, të nxisë reformat në sektorin e energjetikës dhe të luftojë korrupsionin. Qeveria ukrainase ka vlerësuar se vetëm gjatë këtij viti i duhen rreth 15 miliardë dollarë.
Premtimet e qeverisë gjermane
Si pasojë e krizës së Ukrainës, ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier u ka premtuar mbështetje vendeve të Baltikut: Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Gjermania, BE dhe NATO janë solidare me këto vende, të cilat në këto momente janë në një situatë të veçantë, sepse prej saj ngjallet frika nga kërcënimet, tha Steinmeier pas një bisedë në Talin me kolegun e tij nga Estonia Urmas Paet. Paet u shpreh se agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka ndryshuar situatën e sigurisë në tërë Evropën. Estonia ishte stacioni i parë i vizitës së Steinmeierit në vendet e Baltikut. Estonia, Letonia dhe Lituania kanë qenë dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe për dallim prej Ukrainës ato janë tani pjesë e NATO-s dhe BE-së.