Japoni: Jo kthim në shtet bërthamor
1 Janar 2013Hendeku midis përkrahësve dhe kundërshtarëve të energjisë bërthamore në Japoni është thelluar qysh prej rizgjedhjes së parlamentit në mes të dhjetorit. "Jo rindezjes së reaktorëve" dhe "Kundër energjisë bërthamore" thërrisnin të premten e kaluar (28.12.2012) rreth 1.000 vetë para selisë së kryeministrit Shinzo Abe në Tokio. Sipas organizatorit të protestës "Metropolitan Coalition against Nukes" (koalicioni i qytetit të madh kundër energjisë bërthamore) kjo ishte demonstrata e 37-të në një të premte qysh prej pranverës. Mirëpo shanset e protestave për sukses kanë rënë.
Kjo sepse kryeministri i ri Abe është një përkrahës i qartë i energjisë bërthamore. Madje pas ardhjes së tij në post Abe paralajmëroi ndërtimin e reaktorëve të rinj bërthamorë. Partia Liberal-demokratike e tij (LDP) është mishërimi i partisë përkrahëse të energjisë bërthamore në Japoni. Për dekada me radhë LDP-ja ishte pjesë e trekëndëshit të hekurt: burokraci, industri dhe shkencë, i cili nuk linte fiji dyshimi te siguria e centraleve bërthamore. Kjo lidhje pengoi edhe mbrojtjen e mjaftueshme prej cunamit të impiantit bërthamor në Fukushima.
Vizitë në Fukushimë
Megjithatë kryetari i qeverisë Abe nuk e shprehu mendimin e tij gjatë vizitës së parë të reaktorëve të shkatërruar. Ai parapëlqeu të lavdëronte punëtorët për angazhimin e tyre. "Guximi juaj është shpresa dhe e ardhmja e Japonisë", deklaroi kryeministri. Sfida nuk është kapërcyer ende, vijoi ai. Për të parën herë në historinë e vet njerëzimi gjendet para një pune pastrimi të përmasave të tilla, tha Abe. Suksesi i saj do të shpjerë në "rindërtimin e Fukushimës dhe të Japonisë", tha më tej Abe. Ai plotësoi vetëm kaq: Heqja dorë nga energjia bërthamore nuk realizohet dot me iluzion.
Ministri i tij i Industrisë dhe Ekonomisë Toshimitsu Motegi ishte më i qartë: "Ne nuk kemi vendosur ende për politikën e heqjes dorë nga energjia bërthamore deri në vitet 2030". Me këto fjalë u distancua Motegi (ministria e të cilit është përgjegjëse për energjinë) prej politikës së qeverisë pararendëse. Por marrjen e masave Motegi ia lë në dorë mbikëqyrjes bërthamore, e cila qysh prej vjeshtës nuk është më nën varësinë e ministrisë së tij. 48 centralet bërthamore të mbyllura do të rivihen në punë brenda tre vjetësh në rast se enti për rregullator për objektet bërthamore (NRA) konfirmon sigurinë e tyre, kërkoi Motegi.
Shteti bërthamor nuk funksionon më
Mirëpo 'trekëndëshi i hekurt' nuk ekziston më në formën e tij të vjetë. Në të kaluarën palët e përfshira i bashkërendonin qëndrimet në prapaskenë dhe dilnin në publik me një qëndrim të përbashkët. Sot nuk mund të bëhet më fjalë për diçka të tillë. Kryetari i ri i mbikëqyrjes bërthamore, Shunichi Tanaka, e kundërshtoi Motegin brenda ditës: Për nga kërkesat kohore është e pamundur që të konstatohet brenda tre vjetësh siguria e të gjithë reaktorëve, tha ai. Madje Tanaka nuk e konsideroi të nevojshme që t'ia shprehte personalisht ministrit të ri opinionin e tij, po zgjodhi për këtë një bisedë me të përditshmen japoneze Asahi Shimbun.