1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Japoni: Shigeru Ishiba do të jetë kryeministri i ri

27 Shtator 2024

Ish-ministri i Mbrojtjes Shigeru Ishiba përfaqëson një largim nga linja e deritashme konservatore nacionaliste e Partisë Liberaldemokrate në Japoni.

Japan |  Shigeru Ishiba gibt seine Stimme ab
Fotografi: HIRO KOMAE/AFP

Ish-ministri japonez i mbrojtjes Shigeru Ishiba fitoi zgjedhjet e lidershipit të Partisë Liberal Demokratike (LDP) të premten dhe pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Japonisë.

Në një votim shumë të ngushtë, veterani mundi Sanae Takaichi-n, një grua e rrallë udhëheqëse në politikën japoneze. Ky votim vjen pasi kryeministri Fumio Kishida njoftoi në gusht se nuk do të kandidojë më.

LDP, e cila e ka drejtuar Japoninë për pjesën më të madhe të periudhës së pasluftës, ka shumicën në parlament dhe për këtë arsye zgjedh kryeministrat.

Ishiba do të forcojë ushtrinë

Ishiba është shprehur në favor të rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe gjithashtu ka bërë thirrje për krijimin e një versioni aziatik të NATO-s. Ish-ministri i mbrojtjes beson se ushtria japoneze duhet të jetë në gjendje të përgjigjet me vendosmëri në rast të shkeljes së hapësirës ajrore ose të ujërave territoriale.

Fuqia ushtarake në rritje e Kinës dhe politika e jashtme më ofensive kanë sjellë një ndryshim në Japoninë fqinje. Tokio po i jep lamtumirën një politike pacifiste disa dekadash, duke nisur valën e saj më të madhe të shpenzimeve ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shigeru Ishiba Fotografi: TAKASHI AOYAMA/AFP

I pyetur të premten në lidhje me propozimet e tij për një NATO aziatike, Ishiba tha: "Japonia dëshiron të marrë përgjegjësinë e saj proaktive dhe të fillojë diskutimet se si të ndërtojë paqen në këtë rajon."

Në fillim të kësaj jave, Tokio dërgoi për herë të parë një luftanije në ngushticën e ndjeshme të Tajvanit, për t'i përcjellë një mesazh Kinës, sipas gazetës japoneze Yomiuri Shimbun, në një raport që citon disa zyrtarë qeveritarë.

Hera e pestë me fat

"Ne duhet të besojmë te njerëzit, të themi të vërtetën me guxim dhe sinqeritet dhe të punojmë së bashku për ta bërë Japoninë një vend të sigurt, ku të gjithë mund të jetojnë sërish me buzëqeshje”, tha Ishiba i emocionuar në një fjalim para deputetëvw pas fitores.

Ishiba ishte përpjekur katër herë për të marrë drejtimin e LDP-së, por kishte dështuar çdo herë, veçanërisht në vitin 2012, kundër rivalit të tij të madh, të ndjerit Shinzo Abe, përpara se të fitonte këtë herë.

aud (jsi/AFP, Reuters)