Japonia mposht Zelandën e Re - Anglia luan baraz me Meksikën
28 Qershor 2011Atmosferë ekzaltuese, kuota fantastike televizive dhe lehtësim i madh. Pengesa e parë në kthimin e kampionatit botëror të futbollit për femra në një festë të vërtetë futbollistike është kapërcyer.
Edhe në ditën e dytë të botërorit, të hënën dielli shkëlqeu sërish mbi Gjemaninë dhe tifozëve iu ofruan ndeshje vërtet interesante në grupin B. Fillimisht në Bohum, ku 12,500 tifozë ndoqën ndeshjen mes Japonisë dhe Zelandës së Re. Japonia, e kartërta në botë përsa i përket futbollit për femra, një pretendente për titull, e pati më vështirë se sa mendohej. Yuki Nagasato, pas pesë minutash arriti të kalonte në avantazh skuadrën e saj, por gjashtë minuta më vonë erdhi barazimi. Vetëm në minutën e 68-të, një goditje nga këndi solli fitoren për japonezet, që tashmë kryesojnë në grupin B.
Ndeshja e dytë në grupin B u zhvillua në Wolfsburg, me 18.700 tifozë brenda në stadium mes Anglisë dhe Meksikës. Anglezet favorite e kishin përfytyruar ndryshe takimin me Meksikën. Nënkampionet e Evropës arritën vetëm në minutën e 20-të, një 1:0, por pas 12 minutash një gabim i portieres i siguroi meksikaneve barazimin.
Habi dhe gëzim për fokusimin mediatik
Për trajneren e kombëtares gjermane për femra, Silvia Neid është surprizë vëmendja e madhe mediatike. "Është e mrekullueshme, që të jesh kaq në fokus, dhe dëshiroj që kjo të vazhdojë të qëndrojë gjatë."
Ndërsa Linda Bresonik, lojtare e kombëtares gjermane u shpreh me gëzim në konferencën e shtypit për jehonën e ndeshjes së skuadrës së saj. "Kam qenë komplet e surprizuar kur e dëgjova, sepse mendova në stadium ishin rreth 75.000, si mund të jenë rreth 14 deri në 18 milionë vetë para televizorit?"
Ndërkohë kombëtarja gjermane ka mbërritur në Frankfurt nga Berlini, pas fitores 2:0 me Kanadanë, që i gëzoi por nuk i ekzaltoi futbollistet gjermane, që në ndeshjen miqësore vitin e kaluar fituan 5:0. Në Frankfurt mbi Majn, lojtaret gjermane ditën e enjte kanë shansin të prezantojnë aftësitë e tyre. Ndeshja e dytë për gjermanet në grup është përballja me skuadrën e Nigerisë.
Me sa duket sportdashësit gjermanë janë të gatshëm për një festë vere trejavore. Menaxherja e skuadrës gjermane, Doris Fitschen përshkruan pritjen që iu bë skuadrës në Frankfurt: "Gjithkund shihje tifozë që na përshëndesnin dhe na uronin fat. Ishte shumë impresionuese. Që në autobus e ndiemë se aty sundonte gëzimi, por edhe se të gjithë ishin plot përshtypje nga ajo që kanë parë deri më tani."
Autor: Olivia Fritz / AG/ Lindita Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti