Jasuo Fukuda duhet të rikthejë besimin. Partia liberaldemokrate në Japoni zgjedh Fukudën kryeministër
23 Shtator 2007Me 330 vota nga 528 të mundshme të dielën Jasuo Fukuda u zgjodh kryetar i ri i partisë liberaldemokrate. Tradicionalisht shefi i partisë në pushtet zgjidhet edhe kryeministër i Japonisë. Të martën dhoma e ulët e parlamentit pritet të votojë me shumicë pro Jasuo Fukudës si pasardhës i kryeministrit Shinzo Abe. Në zgjedhjen e së djelës për kryesimin e partisë krahas deputetëve liberaldemokratë kishin të drejtë vote edhe përfaqësuesit e partisë nga organizatat rajonale. Nga 387 deputetë që ka partia liberaldemokrate në parlametnin japonez, 254 votuan pro Fukudës. I vetmi kandidat rival i tij ishte Taro Aso, i cili mori 132 vota. Pas zgjedhjes në kuartierin qendror të liberaldemokratëve në Tokio u ndje entuziazmi i madh në radhët e simpatizantëve të Fukudës.
Raporti i votave në përgjithësi pritej i tillë qysh në fillim, sepse një sërë grupimesh brenda partisë qysh më parë ishin shprehur pro Fukudës. Ai konsiderohet si i gatshëm për kompromis, si figurë integruese dhe i matur. Por ishte befasues rezultati i partisë. 47 organizatat rajonale të liberaldemokratëve kishin përkatësisht tri vota, që ato mund t´i ndanin për të dy kandidatët, ose në zgjedhjet paraprake përmes antarëve të partisë, ose përmes një vendimi të kryesisë së partisë. Nisur nga fakti që Taro Aso ka një karakter më karizmatik pritej, që ky i fundit të dilte më mirë në këtë formë të zgjedhjes. Por edhe këtu Jasuo Fukuda fitoi shumicën me 76 vota në favor të tij kundrejt 65 për konkurentin Aso.
Taro Aso pak pas shpalljes së rezultatit e përgëzoi fituesin. Jasuo Fukuda si president i liberaldemokratëve të martën pret konfirmimin si kryeministër nga parlamenti për të paraqitur kabinetin e ri qeveritar. Në përgjithësi pritet, që ai të vazhdojë punën me sektorët kyçë të qeverisë së Abesë, në mënyrë që të zbatohen sa më shpejt nismat e rëndësishme në politikën e brendëshme. Ndër të tjera synohet zgjatja nga parlamenti i ligjit të luftës kundër terrorit. Ky ligj i mundëson marinës japoneze që deri më 1 nëntor t´i japë ndihmë logjistike koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizzmit. Nga ana e ShBA dhe aleatëve të tjerë të Japonisë javët e fundit vazhdimisht është theksuar, se sa i rëndësishëm është angazhimi japonez. Fukuda është i detyruar të hyjë në kompromis, sepse opozita së fundi përfaqëson shumicën në senatin e Japonisë. Qysh në prag të zgjedhejs së tij si president i liberaldemokratëve ai theksoi: "Ligji i anti-terrorit është përshëndetur prej bashkësisë ndërkombëtare. Ne duhet të kemi mirëkuptim për shtyrjen e afatit të këtij ligji, prej të cilit marinës japoneze i mundësohet vazhdimi i kontributit në oqeanin Indian për koalicionin ndërkombëtar kundër terrorit. Ne duhet t´a sqarojmë opozitën në Japoni, për të fituar mbështetjen e saj."
Shinzo Abe, që deri të martën do të vazhdojë të jetë kryeministër i Japonisë, nuk kish ardhur në kuartierin qendror të partisë për të qenë i pranishëm në zgjedhje. Ai e dërgoi me letër votën e tij qysh një ditë më parë, sepse për shkak të shqetësimeve në stomak vazhdon të jetë i shtruar në spital. Në periudhën e shkurtër të qeverisjes mëse një vjeçare të tij Shinzo Abe humbi besimin në popull për shkak të një sërë skandalesh në politikë dhe në partinë në pushtet. Pasardhësi i tij ka tani detyrën, që ta rivendosë besimin deri në zgjedhjet e rregullta që do të zhvillohen në shtator të vitit 2009.