Java e filmit gjerman u mbajt në Kosovë për të gjashtën herë
15 Nëntor 2010
Java e filmit gjerman u mbajt në Kosovë për të gjashtën herë. U shfaqën nëntë filma artistik të zhanreve të ndryshme, të realizuar në dhjetë vitet e fundit.
Filmat: Die Welle, Wolke 9, Das Wunder von Bern, Sophie Scholl-Die Letzten Tage, John Rabe, Jerishow, Wer Fruher Stribt ist laner tot, Der Baader Meinhof Komplex, Keinohrhasen.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter Steinbah, thotë se këta filma ishin filma që gjatë 10-të vjetëve të fundit kane fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në përzgjedhjen e filmave kishte filma që janë shpërblyer me çmime të ndryshme dhe të cilët i takojnë këtij 10- vjeçari.
Miradie Vllahiu, menaxhere e kinemasë ABC, i tha DW-së, “Kinemaja e Prishtinës kishte për qëllim që karshi filmave hollivudianë të prezantojë edhe filma evropianë, në rastin konkret filma gjermanë, gjithnje në të mirë të zhvillimit të kinematografisë dhe kulturës në përgjithesi në Kosovë”. Sipas saj, përmes njohjes së kinematografisë gjermane, shikuesit kosovar janë më afër njohjes së kulturës së vendit.
Filmi më i shikuar ishte Der Baader Meinhof Komplex, “Kompleksi Bader Majnhof”, nga autori i librit Stefan Aust. Stefan Aust, gazetar i pavarur ka qenë kryeredaktor shumëvjeçar i revistës informative "Der Spiegel" dhe po ashtu themelues i Spiegel TV.
Stefan Aust ka qenë mysafir nderi, i ftuar në kuadër të javës së filmit gjerman, me ç'rast ai mbajti edhe një ligjeratë mbi veprën e tij, në bazë të së cilës u realizua edhe filmi Der Baader Meinhof Komplex. Gjermania në vitet e 70-ta. Andreas Beader, ish gazetarja e yjeve Ulrike Meinhof dhe Godrum Ensslin, luftojnë kundër asaj që ata e shohin se fytyrë të re të fashizmit, politikën amerikane në Vietnam, në Lindjen e Afërt dhe në botën e tretë. Kjo politikë sipas tyre, përkrahet nga krerët udhëheqës të politikës, drejtësisë dhe industrisë gjermane. Fraksioni i ushtrisë së Kuqe i themeluar nga Beader, Meinhof dhe Ensslin, i ka shpallur luftë Republikës Federale të Gjermanisë dhe ndërmerr akte terroriste. Ka të vdekur, të lënduar. Situata del jashtë kontrollit dhe demokracia ende e re tronditet në themelet e saj për shkak të akteve terroriste.
Stefan Aust, në ligjeratën për filmin “fraksioni i ushtrisë së kuqe terrori në Gjermani”, thotë se ngjarja në këtë film është e bazuar në ngjarje të vërtetë i cili flet për aktivitet dhe aktet terrorise të Fraksionit të ushtrisë së kuqe. Ai thotë se në film tregohet qartë se terrorizmi në mbarë botën ka një metodë, vrasjen. Ai thotë se terrorizmi i fraksionit të ushtrisë së kuqe në vitet e 70-ta në Gjermani nuk dallon në veprim nga terrorizmi i ditëve të sotme , por dallimi sipas tij, është vetëm relegjioni. Java e Filmit Gjerman, sipas menaxherëve të Kinemsë ABC, është përcjellë nga një numër i konsideruar shikuesish.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Aida Cama