Berlini shmang vlerësimin për protestat në Shqipëri
Gjatë një konference shtypi të premten, më 10 korrik, me ministrin e Jashtëm slloven Tone Kajzer, Deutsche Welle e pyeti ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul për protestat në Shqipëri. Shefi i diplomacisë gjermane nuk dha një vlerësim të drejtpërdrejtë, por e fokusoi përgjigjen drejt procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas ministrit, Gjermania vazhdon ta mbështesë fuqishëm zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Por mbështetja politike nuk do të thotë anëtarësim automatik. Shqipëria duhet të dëshmojë përparim konkret në përafrimin e ligjeve dhe institucioneve të saj me rregullat e Bashkimit Evropian. Wadephul kujtoi se në negociatat me Shqipërinë janë hapur disa grupkapituj të rinj dhe se Gjermania e ka mbështetur hapjen e tyre. Por shtoi: „Hapja e grupkapitujve nuk do të thotë se ata janë mbyllur." Temat përkatëse, tha ai, tani trajtohen me shtetin. Drejtimin e këtij procesi e ka si detyrë Komisioni Evropian dhe, sipas Wadephulit, procesi është në duar të mira. Vetëm kur të ketë rezultate, qeveria gjermane mund të mbajë qëndrim. Sot, tha ministri, kjo ende nuk është e mundur.
Merz: NATO-ja mbetet e bashkuar dhe bëhet më evropiane
Një tjetër temë kryesore e javës ishte samiti i NATO-s në Ankara. Kancelari Friedrich Merz e cilësoi takimin si një sukses dhe sipas tij, samiti dha tri mesazhe kryesore.
Së pari, Aleanca ruajti unitetin, pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe pasigurive që e kishin shoqëruar takimin. Së dyti, vendet evropiane po marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre. Së treti, aleatët rikujtuan vlefshmërinë e nenit 5 të Traktatit të NATO-s: një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.
Edhe mbështetja amerikane mbetet vendimtare. Pavarësisht kritikave të tij ndaj Aleancës gjatë samitit, presidenti Donald Trump e cilësoi në fund takimin si shumë të suksesshëm, ndërsa Merz e përmblodhi drejtimin e ri me formulën: NATO-ja po bëhet më evropiane, por mbetet transatlantike.
Buxheti i vitit 2027: më shumë investime, por edhe më shumë borxhe
Qeveria gjermane miratoi projektbuxhetin federal për vitin 2027. Shpenzimet totale të parashikuara arrijnë në 555,4 miliardë euro, rreth gjashtë për qind më shumë se një vit më parë.
Qeveria planifikon të shpenzojë më shumë për infrastrukturën, mbrojtjen, klimën, hekurudhat dhe mbështetjen e landeve dhe komunave. Por një pjesë e madhe e këtyre shpenzimeve financohet me kredi.
Vetëm në buxhetin bazë parashikohen rreth 118,7 miliardë euro borxhe të reja. Kur përfshihen edhe fondet e posaçme, huamarrja totale kalon 200 miliardë euro.
Debati nuk lidhet vetëmme lartësinë e borxhit. Problemi më i madh shfaqet në vitet pasuese. Në planifikimin financiar deri në vitin 2030 mbeten boshllëqe të konsiderueshme, të cilat qeveria duhet t'i mbyllë me shkurtime, të ardhura të reja ose borxhe të tjera.
Në të njëjtën kohë rriten edhe pagesat e interesave. Sa më shumë para të përdoren për shlyerjen e borxhit, aq më pak mbeten për arsimin, politikat sociale, digjitalizimin ose investime të tjera.
Qeveria argumenton se borxhi është i nevojshëm për të modernizuar vendin dhe për të forcuar sigurinë. Kritikët paralajmërojnë se qeveria po shtyn kostot drejt brezave të ardhshëm dhe nuk po vendos prioritete të mjaftueshme.
Vendimin përfundimtar duhet ta marrë Bundestagu.
Volkswagen shkurton modelet dhe kapacitetet
Gjigandi automobilistik i Gjermanisë, Volkswagen, një nga simbolet më të njohura të industrisë gjermane, po përballet me presion të madh.
Kompania planifikon ta përgjysmojë numrin e modeleve që ofron. Edhe numri i varianteve dhe konfigurimeve të automjeteve pritet të ulet ndjeshëm. Kapaciteti global i prodhimit duhet të përshtatet në rreth nëntë milionë automjete në vit. Kjo bëhet, pasi Volkswagen ka kapacitete më të mëdha prodhimi sesa mund të shfrytëzojë në kushtet aktuale të tregut.
Sipas ekspertëve, kompania përballet me kosto të larta prodhimi, shitje më të dobëta, konkurrencë të fortë nga prodhuesit kinezë të makinave elektrike, pengesa tregtare dhe tarifa në Shtetet e Bashkuara. Njëkohësisht, kalimi nga motorët tradicionalë te automjetet elektrike kërkon investime të mëdha.
Sipas raportimeve, shkurtimet mund të kapin deri në 100 mijë vende pune në të gjithë grupin dhe disa fabrika në Gjermani. Por këto shifra nuk janë konfirmuar përfundimisht nga Volkswagen.
Kriza e Volkswagenit do të jetë një provë për aftësinë konkurruese të industrisë gjermane të automobilave.
Por në fund të një jave të dominuar nga debati për buxhetin, borxhin dhe ekonominë, erdhi të paktën një lajm i mirë për tifozët e futbollit në Gjermani: pas eliminimit zhgënjyes të kombëtares nga Kupa e Botës, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka konfirmuar se po zhvillon bisedime me Jürgen Klopp – një nga trajnerët më të suksesshëm gjermanë, fitues i Ligës së Kampionëve me Liverpoolin dhe dy herë kampion i Gjermanisë me Borussia Dortmundin – për postin e trajnerit të kombëtares. Sipas mediave gjermane, Klopp ka dhënë pëlqimin, por asgjë nuk është nënshkruar ende.
