1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jens Stoltenberg viziton rajonin e Ballkanit

20 Nëntor 2023

Vizita në rajonin e Ballkanit e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg zhvillohet në një kohë tensionesh dhe paralajmërimesh për konflikte të mundshme edhe në Ballkan.

Albin Kurti dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shtrëngojnë duart pra flamujve të NATO-s në takimin e tyre në Bruksel, 17.11.2022
Albin Kurti dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në takimin e tyre në Bruksel, 17.11.2022Fotografi: FRANCOIS WALSCHAERTS/AFP

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, qëndon më 20 nëntor në Kosovë. Stoltenberg viziton Kosovën në kuadër të një turi në disa shtete të rajonit dhe në kohën e tensioneve edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në Kosovë takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit të NATO-s, KFOR, Ozkan Ulutash.

Rusia me "ndikim malinj" në Ballkanin Perëndimor

Para vizitës së shefit të NATO-s në Kosovë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor dhe me këtë paralajmërim është pajtuar edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se edhe BE e ndan shqetësimin e shprehur nga Zelensky se "Rusia do të tentojë të provokojë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

"Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Sipas tij, "pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg Fotografi: Olivier Matthys/AP/dpa/picture alliance

Kurti: NATO e vendosur për paqe dhe siguri në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq para vizitës së Stoltenberg në Kosovë përmes platformës Facebook, kërkoi që "KFOR-i, EULEX-i dhe Bashkimi Evropian të dalin me raport publik për t'ia atribuuar Serbisë aktin e agresionit, krimin dhe terrorizmin” duke e ndërlidhur këtë me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjska të veriut të Kosovës.

"Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit ‘Bota Serbe', të Vulinit e të Vuçiqit”, shkroi Kurti në Facebook. Sipas tij, "vizita e Stoltenbergut, konfirmon vendosmërinë e NATO-s për të vendosur paqe dhe siguri në Kosovë”.

Ushtarë të KFOR-it në LeposaviqFotografi: Marjan Vucetic/AP/picture alliance

Tensionet ende të larta

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten të larta, sidomos pas sulmit të armatosur në veri të Kosovës  më 24 shtator, nga një grup  serbësh, ku një polic i Kosovës mbeti i vrarë. NATO e përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe Stoltenberg ka kërkuar nga të dyja palët "që të përmbahen nga nxitja e tensioneve dhe të kthehen menjëherë në dialog'. Stoltenberg do ta vizitojë edhe Serbinë.

NATO aktualisht ka në Kosovë mbi 4.600 trupa dhe është shprehur e gatshme që të rrisë praninë ushtarake, në kuadër të misionit të KFOR, nëse kjo është e nevojshme.

Veriu i Kosovës nuk gjen qetësi

02:45

This browser does not support the video element.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë