Bundesbank Präsident Weidmann
18 Shkurt 2011
Më 1 maj Jens Weidmann do të marrë si pasues i Axel Weberit, postin e shefit të Bankës Federale gjermane në Frankfurt. Për 42-vjeçarin është ky kurorëzimi i një karriere në ngjitje, ndërkohë që kancelarja Angela Merkel humbet këshilltarin e saj më të rëndësishëm.
Jens Weidmann – emri i këshilltarit më të rëndësishëm të kancelares është i njohur, por fytyra e tij më pak. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me moshën e tij të re, dhe nga ana tjetër me faktin që atij nuk i interesojnë shumë paraqitjet në publik. Ndërkohë që politikanë dhe ekspertë nxitojnë për të shkuar në "talkshows", për t'i paraqitur publikut të madh pikëpamjet e tyre, Jens Weidmann i shmanget kësaj tendence. Ekzistojnë vetëm dy fotografi të tij, ai nuk jep intervista. Por kjo me siguri tani do të ndryshojë. Shefi i Bankës Federale duhet të mbajë publikisht qëndrim për tema të caktuara dhe duhet të japë intervista. Paraqitjet në publik do të jenë të pashmangshme.
Në rrethet e specialistëve Weidmann gëzon një reputacion të shkëlqyer. Ai është profesional dhe kompetent, paraqitja e tij modeste bie në sy në hektikën e Berlinit. Veç kësaj në vitet e kaluara të krizës ai dëshmoi se ishte i besueshëm dhe mund të mbante përgjegjësi mbi supe.
Qysh përpara tërheqjes së Axel Weberit nga posti i shefit të Bankës Federale ai ishte diskutuar si pasues i mundshëm. Që një bashkëpunëtor nga rrethi më i ngushtë i kancelares ndërronte pa stacion të ndërmjetëm në krye të Bankës Federale, institucion i pavarur nga qeveria, u pa me sy kritik. Një ndryshim i tillë mund të sjellë konflikte interesi. Opozita thotë se Weidmann në detyrën e re duhet të vlerësojë vendime politike dhe ligje, në hartimin e të cilave ai vetë ka pasur ndikim të madh. Angela Merkel nuk i mori parasysh këto kritika.
Ngjitje e shpejtë
Ekonomisti ka bërë maturën në vitin 1987 dhe ka studiuar në Bonn dhe Paris, ndër të tjera si student i shefit aktual të Bankës Federale Axel Weber, asokohe profesor ekonomie. Përvojën e parë me politikën ndërkombëtare financiare e kishte bërë si student, pranë Bankës së Francës dhe Bankës Qendrore të Ruandës. Në 1997 ai punoi dy vjet pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në vitin 2003 u bë sekretar i përgjithshëm këshillit të ekspertëve për zhvillimin ekonomik të Gjermanisë.
Në vitin 2009 Jens Weidmann pati suksesin deri atëherë më të madh të karrierës së tij ende të re: kancelarja Angela Merkel e ngarkoi këshilltarin e saj me përgatitjen e samitit të G-8 dhe G-20. Për herë të parë emri i tij u bë i njohur për publikun e gjerë, por ai vetë mbeti në sfond.
Kthimi në Frankfurt
Gjermania e ka përballuar krizën financiare dhe ekonomike të viteve të fundit më mirë se shumë vende të tjera. Kjo është edhe meritë e Jens Weidmann-it. Kancelarja Angela Merkel e bëri ekonomistin 42-vjeçar këshilltarin e saj më të rëndësishëm ekonomik. Kështu Weidmann u bë "madhëria gri" e politikës monetare të Berlinit, "këshilltari për krizën" i Merkelit. Pas suksesit gjerman, i cili në opinionin publik i faturohet kokave drejtuese Merkel dhe Steinbrück, pra kancelares dhe ish-ministrit të Financave të koalicionit të madh, duket qartë ndikimi i Jens Weidmann-it.
Weidmann, i cili do të kthehet tani në Frankfurt si shefi i Bankës Federake, ka punuar edhe më parë për bankën: nga vitit 2003 deri 2006, ai ishte drejtor i sektorit për politikën monetare dhe analizat. Qysh atëherë ai jeton me gruan dhe dy fëmijët në afërsi të Frankfurtit. Me siguri mundësia për të qenë tani më pranë familjes, ia ka bërë më të lehtë marrjen e vendimit për postin e ri.
Weidman i jep fund menjëherë aktivitetit të tij pranë qeverisë, tha Merkel të mërkurën në Berlin. Ai do të jetë zëri i Gjermanisë për stabilitetin në çështje të politikës monetare në Bankën Qendrore Evropiane. Zëvendëspresidente e re e Bankës Federale do të jetë prej 1 qershorit Sabine Lautenschläger, aktualisht drejtore ekzekutive për mbikqyrjen bankare në agjencinë BaFin.
Autor: Dirk Kaufmann / Eliana Xhani
Redaktoi: Lindita Arapi