1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeta e përditshme në Iran: "Ne kemi frikë"

7 Korrik 2018

Pas daljes së SHBA nga marrëveshja atomike me Iranin, Europa, Rusia dhe Kina duan ta shpëtojnë atë: Ministrat e jashtëm takohen në Vjenë. Njerëzit në Iran janë të dëshpëruar. Për qeverinë në Teheran koha nuk pret.

Iran | Unwetter und Staubsturm in Teheran
Fotografi: FARS/A. Khara

"Tema më e rëndësishme gjatë udhëtimeve me taksi përmes Teheranit janë sanksionet", thotë. 51-vjeçarja shtëpiake nga Teherani është e indinjuar. Frika e saj është, se "atmosfera është mbytëse. Ne nuk besojmë, që politikanët tanë mund të na drejtojnë për të dalë nga kjo krizë."

Babai i Azam-it është 75 vjeç. Ai ka probleme me qarkullimin e gjakut dhe është i varur prej medikamentit warfarin. Ky preparat për hollimin e gjakut ndërkohë mezi gjendet në Teheran. "Ka disa javë që më duhet t'i bie qytetit kryq e tërthorë duke pyetur në farmaci nëse e kanë këtë medikament."

Mungojnë mallrat e importit

Për njerëzit e zakonshëm në Iran këto janë pasojat e sanksioneve, sepse Irani nuk mund ta prodhojë vetë warfarin. Ky medikament tani importohet - edhe nëse importet mbërrijnë - ai mund të gjendet në sasi fare të vogël. Ndërkohë është rritur edhe çmimi i tij.

Edhe më shumë vështirësohet situata, që vendi ndodhet në krizë ekonomike. Qëkurse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në maj anuloi marrëveshjen atomike me Iranin, monedha vendase ka rënë ndjeshëm në raport me dollarin. Zyrtarisht dollari këmbëhet me afërsisht 43.000 rial, monedha iraniane. Para një viti këmbimi ishte me 32.000. Në tregun e zi sot dollari shitet më poshtë 85.000 rial.

Me daljen nga marrëveshja atomike dhe me kërcënimin me sanksione jo vetëm ndaj vet Iranit, por edhe sipërmarrjeve që bëjnë biznes m Iranin, SHBA përpiqet ta gjunjëzojë ekonomikisht këtë vend.

Vështirësi në sektorin financiar

Ndër instrumentat më efikasë të SHBA-së janë sanksionet në sektorin bankar. Institucionet monetare të Iranit duhet të shkëputen prej tregut global të kapitalit, aq më shumë vështirësohet situata, kur dihet që ato sapo e rifituan aksesin në treg me marrëveshjen atomike. Në fund të qershorit shumica e bankave europiane e ndërprenë qarkullimin e pagesave me Iranin. Pasoja është, që sipërmarrjet europiane mund t'i llogarisin me vështirësi import-eksportet me Iranin.

"Kjo rrënon biznesin dhe jetën tonë", thotë Esmael, një biznesmen 38-vjeçar nga Teherani. Ai qendron në cep të një rruge me mjaft qarkullim jo larg pazarit të Teheranit.  "Ne kemi zgjedhur Rohanin, sepse ai donte të vendoste paqen me Perëndimin. Ne i përmbahemi marrëveshjes, Por përse duhet të ndëshkohemi, se SHBA-ja papritur ndryshon mendimin?"

Esmael së fundi ka qenë dy herë në Gjermani. Ai ka vizituar panairet e industrisë. Donte të importonte makineri gjermane për ambalazhimin e produkteve ushqimore, pasi ato për shkak të cilësisë vlerësohen shumë në iran. Tani planet e tij janë pezulluar.  "Europa mund të na mbështesë ne dhe të përfitojë prej kësaj. Irani është një vend i madh dhe i qendrueshëm në Lindjen e Mesme. E ç'të mirë ka Europa nëse ne zhytemi në kaos?"

SHBA-ja do ndryshimin e sistemit në Iran

SHBA-ja me sa duket punon në Iran për kthimin e regjimit autoritar në demokraci. Ndaj  SHBA-ja u ka bërë thirrje partnerëve të vet tregtarë, që duke nisur nga 4 nëntori 2018 të ndërpresin të gjitha importet e naftës nga Irani. Koreja e Jugut si aleate e SHBA-së në Azi i është përgjigjur kësaj thirrjeje duke e bllokuar që nga korriku këtë tregti. Eksporti i naftës është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave të Iranit.

Ndonëse edhe 19-vjeçari teheranas Saeed dëshiron një vend demokratik, ai e konsideron të gabuar politikën e SHBA-së: "Presioni nga jashtë nuk na ndihmon neve. Prej krizës ekonomike vuajnë njerëzit e thjeshtë si prindërit e mi. Ata janë të shqetësuar, që duke nisur nga semestri tjetër do të rriten tarifat për studimin. Po ashtu ata i trëmben një lufte të mundshme."

Zhgënjim nga udhëtimi në Europë

Presidenti i Iranit këtëjavë zhvilloi vizita në Europë. Tema qendrore ishte: shpëtimi i marrëveshjes atomike. Pas bisedimeve në Zvicër dhe në Austri, që tani kryeson presidencën e BE-së, Rohani ishte i zhgënjyer. "Paketa e sugjeruar nga BE-ja nuk përmban propozime konkrete dhe praktike për zgjidhje", kritikoi Rohani të enjten (05.07) në mbrëmje.

Në një bisedë telefonike me kancelaren Angela Merkel Rohani u ankua në faqen zyrtare të presidencës, se kësaj oferte i mungon një plan aksioni apo një plan i qartë kohor për vazhdimin e bashkëpunimit. Irani do t'i përmbahet kësaj marrëveshjeje, por vetëm "me kusht që ne të mund të përfitojmë prej marrëveshjes", shprehet Rohani.

"Unë nuk do të harroj asnjëherë se si ne kemi kërcyer në rrugë prej gëzimit, kur u nënshkrua kjo marrëveshje", thotë shkrimtarja dhe gazetarja 38-vjeçare Pegah. "Ne e kemi mbështetur Rohanin dhe politikën e tij e ai përfaqëson interesat tona. dalja nga marrëveshja atomike e SHBA-së është si një shpallje lufte ndaj popullit iranian. BE-ja tani duhet të qendrojë në anën tonë dhe të mbështesë paqen."

Me takimin në nivelin e ministrave të jashtëm në Vjenë (06.07) Europa, Rusia dhe Kina duan të nisin përpjekjet për ta shpëtuar këtë marrëveshje.