Straßenkünstler
6 Shtator 2011
Disa prej tyre në këtë mënyrë fitojnë për të mbijetuar, të tjerët e bëjnë këtë për të fituar pak para shtesë. Më të mirët marrin pjesë edhe në festivale të ndryshme në mbarë Evropën. Në Hamburg aftësitë e tyre treguan rreth 2000 artistë: muzikantë, aktorë, vallëzues dhe të tjerë.
Turma dhe artistët
Përmes turmës së shikuesve të shumtë depërton një autoveturë shumë e vogël me tri rrota. Mbi të një këngëtar. Pas tij vjen një grup me një dirigjent. Grupi Circumloqui është për herë të parë në këtë tur evropian, shpjegon Miquel. Ata jetojnë nga paratë e fituara në rrugë.
„Është ky një profesion shumë i rëndë, por është cool“, thotë ai.
Vetëm 10 metra më larg luan grupi gjerman "Franz Bieberkopf". Shtatë studentë, të cilët muzikën e kanë si hobi të përbashkët. Anëtarët më të vjetër të këtij grupi njihen që nga koha e shkollës fillore, shpjegojnë Christophi dhe Dominiku.
"Luajmë çfarë të na teket"
„Thjesht mund të nisesh dhe të luash çfarë të teket. Kjo është super. Ne jemi stundetë dhe kemi nevojë për pak para për benzinë. Të shumtën e rasteve qendrojmë tek ndonjë shok, por ka raste edhe kur flejmë në veturë, pyesim dikë në rrugë nëse mund të shkojmë një natë tek ai apo shkruajmë një letër mbi valixhe: ne kërkojmë vend për të fjetur. Të shumtën e rasteve reagimet janë pozitive“, thotë Dominiku
Ndërsa argjentinasi Maurangas nuk kënaqet vetëm me duartrokitje. Ky kloun shpesh u afrohet dhe i prek edhe shikuesit.
„Këtu keni mundësinë të bëni shou. Mendoj se ky është edhe sekreti i artistëve dhe teatrit në rrugë", pohon ai.
Por jo të gjithë janë të entuziazmuar me këtë lloj arti, thotë një artist nga Kanadaja.
Maqedonasit ikin...
„Disa njerëz janë pak më të turpshëm se të tjerët. Gjermanët jo, sepse ata të japin shumë energji. Por në Maqedoni, për shembull, shumë njerëz vijnë e shikojnë, por ikin kur do t'i prekësh. Ata me të vërtetë largohen“, shpjegon ai.
Në Hamburg askush nuk largohet, madje as kur artisti Maurangas heq kapelën dhe e vë para vetes. Ai jeton nga paratë e fituara në rrugë.
Edhe në këtë festival shumë artistë përdorin kapelat për të mbledhur para. Por ata thonë se kjo s'ka asgjë të përbashkët me lypësit në rrugë.
„Kjo nuk është fare ndonjë lypje parashë apo kërkesë për lëmoshë. Ka njerëz të cilët këtë e bëjnë në mënyrë shumë profesionale. Qëllimi ynë është që një ditë të jemi të siguruar financiarisht dhe të mos hedhim kapelën përpara vetes. Ka festivale ku fiton vetëm nga qytetarët, por ka dhe festivale ku paguhesh për pjesëmarrje“, thotë Marc Andre Klotz.
Shumica e bën këtë punë "nga bindja"
Kështu shprehen edhe Marc André Klotz nga Hamburgu dhe këngëtarja nga Australia Hannah Pearl.
„Unë punoj me dëshirë në rrugë, ku ke të bësh me njerëz të ndryshëm. Në ndonjë bar ke vetëm një grupmoshë të caktuar. Këtu edhe ambienti është tjetër. Kjo është mirë edhe për reklamimin e muzikës, për ata njerëz të cilët nuk shikojnë internetin dhe nuk shkojnë në ndonjë bar“, thotë Pearl.
Ajo e shijon këtë atmosferë në rrugë - atmosferën spontane dhe lirinë e veprimit. Por edhe këtu ka rregulla, të cilat dallojnë në varësi të vendit apo edhe qytetit. Parimisht secili ka nevojë për leje pune. Këtë e di edhe Klotz, i cili shpjegon se kaherë është krijuar edhe një skenë e veçantë e këtyre artistëve. Në vendet ku këta artistë paguhen mirë, në Gjermani, Itali, Zvicër apo diku tjetër, mund të organizohen edhe festivale, thotë ai.
Por këta artistë janë të interesuar për një atmosferë të veçantë dhe shpesh shkojnë edhe në vende me pagesa të pasigurta. I tillë është edhe dueti „LOL Brothers“ nga Montreali, i cili meriton, të paktën një duartrokitje frenetike.
Autor: Janine Albrecht/Bahri Cani
Redaktoi: E. Xhani