Jo armëpushim por bombardime
16 Korrik 2014Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shkarkoi nga detyra në mes të konfliktit të përshkallëzuar në Gazë zëvendësministrin e Mbrojtjes Danny Danon. Sipas një raporti të "Jerusalem Post" shkaku për këtë ishte kritika e politikanit të partisë së djathtë Likud ndaj armëpushimit të njëanshëm që shpalli Izraeli ditën e martë. Danoni e kishte quajtur atë një "shuplakë në fytyrë", për të gjithë qytetarët izraelitë.
Sipas gazetës Danon e kishte kritikuar dhe në javët e fundit vazhdimisht politikën e sigurisë të Netanjahut. Netanjahu është kryetari i aleancës konservatore Likud, kurse Danon kryetar i Komitetit Qendror të saj.
Izraeli zgjeron sulmet ndaj Hamasit në Gaza
Izraeli i ndali të martën paradite (15.07) në mënyrë të njëanshme për gjashtë orë goditjet ajrore. Por Hamasi e injoroi armëpushimin e njëanshëm të Izraelit dhe vazhdoi të qëllonte me raketa në drejtim të Izraelit. Pasdite ushtria izraelite i vazhdoi sulmet e saj.
Pas dështimit të armëpushimit në konfliktin e Gazës Izraeli i zgjeroi këtë të mërkurë sulmet e tij ndaj Hamasit islamik. Këtë herë sulmet u drejtuan kundër shtëpive të krerëve të Hamasit. Nuk ka pasur njoftime për viktima. Por që nga fillimi i bombardimeve numri i viktimave palestineze është rritur deri në 200 vetë, sipas të dhënave palestineze. Presidenti palestinez Mahmud Abas shkoi ndërkohë në Kajro për të ndërmjetësuar për një armëpushim të ri. Egjipti ka ofruar shërbimet e tij si ndërmjetës.