1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kleine Pflegereform

20 Tetor 2011

Gjendja në azilet e pleqve është problematike. Bundestagu vendos sot për ligjin e ri për lehtësimin e kushteve të punës të personave që kujdesen për të afërmit e moshuar.

Rritet me shpejtësi numri i të moshuarve, që kanë nevojë për trajtim.
Rritet me shpejtësi numri i të moshuarve, që kanë nevojë për trajtim.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Gjermanët jetojnë më gjatë. Prej dekadash ata bëjnë më pak fëmijë, kështu që numri i të moshuarve në numrin e përgjithshëm të popullatës rritet gjithnjë e më shumë. Politika ka bërë një hap në vitet '90-të duke futur sigurimin e trajtimit shëndetësor për të moshuarit. Por ky instrument nuk është i plotë, sidomos për të sëmurët me sklerozë. Nga ana tjetër edhe financimi i një sistemi të tillë është i pasigurtë në të ardhmen.

Partitë e djathta gjermane, aktualisht në pushtet, ajo kristiandemokrate CDU, kristiansociale CSU dhe partia liberale vendosën para dy vitesh të zgjidhnin problemet e përkujdesit shëndetësor për të moshuarit me një reformë zgjeruar të sistemit shëndetësor. Por ata nuk e kanë arritur deri më tani synimin e shpallur që të gjithë punëmarrësit të paguajnë një kontribut të caktuar në një fond përkatës dhe me këtë të krijohet një shtyllë e dytë mbështetëse për financimin e sigurimit shëndetësor për të moshuarit.

Shtyhet reforma e madhe për përkujdesjen për të moshuarit

Sot (20.10) Bundestagu gjerman vendos për ligjin e ri për lehtësimin e kushteve të punës për personat, që kujdesen në shtëpi për të afërmit e moshuar. Ligji parasheh një reduktim të kohës së punës deri në dy vjet dhe kufizon humbjet në paga për këta persona. Dhe punëmarrësit do të marrin një mbështetje financiare nga shteti. Ndërsa reforma e madhe e planifikuar nga qeveria gjermane do të shtyhet në janar të vitit 2012.

Puna në azile jo atraktive

Por gjendja në azilet e pleqve në Gjermani që tani është alarmante. Mungojnë forcat e kualifikuara. Të jesh infermiere e specializuar për azilet e pleqve nuk është ndonjë profesion atraktiv në Gjermani. Punë me turne, me mungesë personeli, dhe me një pagë të ulët. Infermierët e azileve marrin pas tre vitesh shkollim 2.200 euro bruto.

Drejtoresha e azilit Shën Konradi, Christiane Sievert, thotë: "Qendra jonë është prezantuar nga e premtja deri të dielën në një panair, së bashku me supermarketet, drejtoritë e ujësjellësit, apo firma të tjera. Ne për fat të keq duhet të kuptonim në fund se interesi tek të rinjtë është zero. Ata nuk duan të punojnë në azile pleqsh. Pavarësisht nëse punon në administratë, në kuzhinë, apo në infermieri."

Gjendja në azilet e të moshuarve e vështirë

Në fillim të viteve 90-të u reduktuan vendet e kualifikimit për infermierë azilesh. Me kalimin e kohës u larguan edhe aplikantët. Politika gjermane e humbi rastin për të zgjidhur këtë problem në kohën e duhur, kritikon Andres Westerfellhaus nga Këshilli Gjerman për Azilet. Që tani sundon gjendja e jashtëzakonshme në azile, thotë ai. Ndërkohë që numri i të moshuarve, që kanë nevojë për trajtim, pasi janë të paaftë të jetojnë vetëm, rritet me shpejtësi. Deri në vitin 2025 do të duhen deri në 300.000 infermierë azilësh, llogarit ai. "Në vende të tjera të botës, por edhe brenda Bashkimit Evropian duhet thënë se ky problem po ashtu është i pazgjidhur. Ne si shoqata azilesh kemi nënshkruar një kod etike, përmes të cilit heqim dorë nga marrja e fuqisë punëtore në vendet e tjera, sepse me këtë hap i shtojmë edhe më shumë problemet në trajtimin e të moshuarve në këto vende."

Një gjë është e sigurtë. Gjermanët duhet të paguajnë më shumë në të ardhmen, nëse duan që të trajtohen me dinjitet në pleqëri. Duhet rritur numri i vendeve të kualifikimit dhe duhet ofruar një pagë më e mirë për këtë krah pune, kërkojnë ekspertët.

Autor: Doris Krannich/Peter Stützle/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica