1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo vetëm Franca - Partnerët e Merkelit në BE

Christoph Hasselbach / Pandeli Pani16 Janar 2014

Kriza ka ndryshuar shumë gjëra në Evropë, edhe politikën e aleancave të kancelares Merkel. Ajo nuk përqëndrohet kryesisht tek Parisi, por po ndërton një rrjet marrëdhëniesh të ndryshme.

Fotografi: REUTERS

Kur Gjermania dhe Franca festuan vitin e kaluar 50-vjetorin e marrëveshjes së Elizesë, presidenti Joachim Gauck tha se "nuk ka vende të tjera me një rrjet kaq të dendur dhe shumë të qëndrueshëm marrëdhëniesh personale dhe institucionale" sa Gjermania dhe Franca. Por këto fjalë të bukura nuk mund të fshehin se sa të ftohta janë prej vitesh marrëdhëniet mes qeverive të të dy vendeve. Edhe ish-kryeministrit francez Alain Juppé tha në shtator 2013 gjatë një interviste me Deutsche Wellen: "Bashkëpunimi francezo-gjerman nuk është gjithmonë i shoqëruar prej trëndafilash. Ne kemi dhe konflikte."

Sidomos në sektorin ekonomik dhe atë të buxhetit kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez François Hollande kanë ndjekur rrugë të ndryshme. Merkel mbështet konkurrencën dhe globalizimin, Hollande e kërkonte shpëtimin tek izolimi dhe programet stimuluese të shtetit. Kjo bëri që Franca të bjerë më thellë në krizë. Tani më 14. janar presidenti francez tha se do të ketë ndryshim kursi me lehtësime për ekonominë dhe kursime në sektorin publik. Qeveria gjermane po pret tani që fjalët të ndiqen nga vepra. Sepse deri tani dobësia ekonomike e Francës qe për Gjermaninë një problem, sepse Berlinit i mungonte një partner i fortë në Evropë.

Fotografi: Lionel Bonaventure/AFP/Getty Images

Merkeli vlerësohet në Poloni

Ka disa fakte që flasim për atë që Merkeli ka kohë që po përpiqet për diverzifikimin e parnterëve në Evropë. Ajo po përpiqet për kontakte të ngushta me qeverinë polake dhe që ta sjellë Donald Tusk, kryeministrin polak në post të lartë në Evropë. Bartosz Dudek, drejtues i redaksisë polake të Deutsche Welles, i sheh marrëdhëniet aktualisht të dobëta mes Gjermanisë dhe Francës si një arsye "që Gjermania është duke kërkuar partnerë të tjerë në kuadër të Bashkimit Evropian - dhe Polonia përshtatet mirë në këtë skemë."

Tusk është i afërt me Merkelin jo vetëm personalisht, por edhe politikisht. Dudek tërheq vëmendjen për poziten e Polonisë si vendi më i rëndësishëm në Evropën Qendrore dhe përballimin e mirë të krizës në Poloni dhe se Merkeli vlerësohet shumë në Poloni.

Fotografi: John Macdougall/AFP/Getty Images

Janis Emmanouilidis, politolog pranë Qendrës për Politikën Evropiane në Bruksel thotë se lidhjet e Gjermanisë me Poloninë nuk do të thonë në asnjë mënyrë një zëvendësim të atyre me Francën "sepse aleanca francezo-gjermane nuk mund të zëvendësohet. Kjo lidhet me nevojën për marrëdhënie të tjera strategjike."

Lidhjet Merkel Cameron

Pa u vënë re shumë nga publiku Merkeli po i shtrin antenat edhe drejt qeverisë britanike nën drejtimin e konservatorit David Cameron. Cameronit iu bë edhe nderi i rrallë, ftesa për të kaluar në pranverën e vitit 2013 një fundjavë të tërë bashkë me familjen e tij me Merkelin dhe të shoqin në Pallatin Meseberg në Berlin. Hollande deri tani po pret më kot një ftesë të tillë. Për Martin Callanan, eurodeput konservator britanik, kjo ftesë është e logjikshme. Në një intervistë me Deutsche Welle Callanan thotë se Merkel dhe Cameron janë politikisht mjaft afër në shumë çështje. Dhe kjo ka pasoja për Evropën. "Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania janë gjithnjë e më tepër duke marrë në një lloj roli të përbashkët udhëheqje në Evropën Veriore, ndërsa Franca po bëhet udhëheqësi shpirtëror i Evropës Jugore. Edhe pse Franca dhe Gjermania janë fqinjë gjeografikë, ata sigurisht nuk janë më fqinjë ideologjikë." - thotë Callanan.

Fotografi: Getty Images

Janis Emmanouilidis mendon se bashkëpunimi mes Berlinit dhe Londrës ka kufij: "Problemi është se Londra manovron jashtë fushës prandaj Londra është e rëndësishme, por marrëdhëniet me Parisin janë më të rëndësishme dhe kompromiset duhet të bëhen sidomos me Francën në rast se gjerat duhen çuar përpara në nivel evropian."

Veriu kundër jugut nuk ka kuptim

Ajo që bie në sy është që Merkeli, ndryshe nga paraardhësit e saj, nuk e sheh Francën si të vetmen partnere pa kushte në Evropë. Në kohën e krizës së euros po bëhet e qartë që vendet veriore të Evropës, Finlanda, Suedia, Holanda apo Austria po bëjnë presion ndaj vendeve të jugut për reforma dhe kursime. Edhe pse nga jashtë duket sikur këto i kërkon vetëm Gjermania.

Por kjo nuk duhet të çojë në një aleancë të Veriut kundër Jugut, thotë Janis Emmanouilidis, sepse lidhjet në Evropë janë bërë më koplekse.

Më komplekse është bërë edhe poltika e Merkelit ndaj partnerëve evropianë, ajo është diverzifikuar, sepse sipas situatave ndryshojnë edhe aleancat. Por ajo që është e sigurt është se edhe në legjislaturën e saj të tretë nuk priten ndryshime dramatike në politikën e Merkelit ndaj Evropës.