1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Johnsoni nën presion

20 Dhjetor 2021

Festë apo takim pune? Fotografia e një takimi në Downing Street rrit presionin ndaj kryeministrit Johnson. Në fotografi shfaqen rreth 20 persona, bashkë me djathin dhe verën. Qeveria flet për një mbledhje pune.

Großbritannien London | Ansprache Boris Johnson zu Omicron
Fotografi: Kirsty O'Connor/AFP/Getty Images

Kryeministri britanik Boris Johnson është nën presion në rritje për shkeljet e mundshme të rregullave të mbylljes së jetës publike.

Në maj 2020 vala e parë e koronas kishte përfshirë Britaninë  dhe vendi ishte në një bllokim të rreptë. Por më 15 maj kryeministri Johnson me sa duket mori pjesë në një festë në kopsht në rezidencën e tij zyrtare në Downing Street. Disa gazeta raportuan për këtë ditët e fundit. Tani është shfaqur një foto e re e një takimi të ri me gati 20 persona në Downing Street Garden. "Guardian” ka publikuar një foto nga takimi.

Takim pune - me verë dhe djathë

Në foton e publikuar nga "Guardian”, e cila mban datën maj 2020 – periudhë kur kontaktet qenë rreptësisht të kufizuara – Johnson-i shihet i ulur në një tavolinë me gruan e tij Carrie dhe dy bashkëpunëtorë. Shihen grupe të tjera të shpërndara nëpër kopsht, ku shërbehet verë dhe djathë.

Qeveria thekson se ka qenë një takim pune. "Qeveria përdor edhe kopshtin e Downing Street për takime pune. Kjo nuk ishte kundër rregullave," tha zëvendëskryeministri Dominic Raab.

Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Matt Hancock i kishte bërë thirrje popullatës që të qëndronte në shtëpi kur ishte e mundur, t'u përmbahej rregullave dhe të mos rrezikonte. Në atë kohë, në maj 2020, vetëm maksimumi dy persona lejoheshin të takoheshin në Angli, jashtë dhe në një distancë prej dy metrash. Takimet e punës duhet të zhvilloheshin vetëm "nëse është absolutisht e nevojshme".

Fotografi: Aaron Chown/PA Wire/empics/picture alliance

Zëdhënësi i Johnson-it fillimisht i hodhi poshtë akuzat për një "festë në kopsht". Ai tha se atë ditë, pas një konference për shtyp, kryeministri pati "disa takime në kopsht, duke përfshirë edhe ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë dhe ekipin e tij”. Johnsoni ishte kthyer në rezidencën e tij pak pas orës 19:00.

Johnsoni nën presion

Por fotografia që ka publikuar tani Guardian ngre dyshime për paraqitjen zyrtare të zëdhënësit të Johnsonit.

Fotografia i bashkohet një serie raportesh për festa që thuhet se janë zhvilluar në Downing Street gjatë periudhës së mbylljes së jetës publike. Johnson-i ka qenë nën presion të konsiderueshëm për shkak të kësaj.

Si rezultat, politika e tij e koronës po humbet besueshmërinë në sytë e vëzhguesve. Kritikat erdhën nga opozita. Zëvendëskryetarja e Partisë Laburiste, Angela Rayner e quajti foton "një shuplakë në fytyrën e publikut britanik". "Kryeministri vazhdon të na tregojë se nuk ndjek rregullat që bën për ne të tjerët," tha ajo.

aud (dlf, dpa)