Juglindja e Turqisë përfshihet nga protestat kurde
31 Mars 2006
Breza mjegulle të gazit lotsjellës në rrugët e metropolit turk Dijarbakir, tymtaja mbi qytetin kurd të naftës Batman. Ka dy ditë që disa mijëra kurdë janë duke zhvilluar përleshje në rrugë me forcat e sigurimit, dhe për herë të parë prej vitesh në rrugët e qytetit ka filluar të patrullojë edhe ushtria.
Tre të vdekur, 300 të plagosur dhe qindra të arrestuar është bilanci i përleshjeve dyditore. Guvernatori i Dijarbakirit Efkan Ala mendon: "Duke ju falendëruar sjelljes së arsyeshme të forcave tona të sigurimit, përkundër të gjithave që ndodhën nuk u regjistruan më shumë të vdekur e të plagosur", tha Efkan Ala.
Shumica e kurdëve ndërkaq kanë mendim tjetër. Edhe gjatë festës së vitit të ri kurd, që njihet ndryshe me emrin Nevruz, ushtria dërgoi avion luftarak mbi qytetin kurd.
Shkaktar i trazirave ishte varrimi i njerëzve të Partisë Kurde të Punës, të vrarë gjatë operacionit më të madh ushtarak në këto vitet e fundit. "Partia Kurde e Punës i nxit tani këto trazira", shkruan jo vetëm shtypi turk por thotë edhe kryeparlamentari Arinc: "Organizata terroriste përpiqet që varrimin e terroristëve ta kthejë në propagandë dhe të nxisë një kryengritje popullore", thotë Arinc.
Eshtë e vërtetë se Partia Kurde e Punës ka bërë thirrje që trazirat të përhapen edhe në qytetet tjera dhe të mbyllen të gjitha dyqanet. Ato dyqane që mbajnë dyert e hapura shumë shpejt qëllohen me gurë. As Osman Bajdemir, kryebashkiaku i Diarbakirit dhe vet një prej kokave të lëvizjes kurde nuk arriti të qetësonte njerëzit:
"Thjesht nuk ekziston asnjë koncept për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë të çështjes kurde; andaj ndodhin këto gjëra. Forcat e sigurimit do të ishte më mirë sikur të ktheheshin në pikat dhe kazermat e tyre", thekson Bajdemir.
Po ashtu aktivisti për të drejtat e njeriut Akin Birdal, i cili së bashku me intelektualët, artistët dhe OJQ-të bëri thirrje për paqe, shkakun e vërtetë për trazirat e sheh në reformat e mbetura në gjysëm të rrugës: "Zgjidhja është e lehtë: ne kemi nevojë për një amnesti të përgjithshme dhe të drejta kulturore për kurdët, të cilat duhet të inkorporohen edhe në kushtetutë", thotë Birdal.
Por lirimi i shefit të Partisë Kurde të Punës, Öçalan, është për Ankaranë e paparamendueshme, ashtu si lejimi i gjuhës kurde si gjuhë të dytë zyrtare në juglindje të vendit. Në këtë mënyrë edhe pse gjendja aktualisht mund të qetësohet ajo nuk do të jetë paqe e qëndrueshme.