1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këhler në Rumani dhe Bullgari - Jo vetëm fjalë të mira, por edhe kritika

Robert Schwartz4 Korrik 2007

Gjatë vizitës në dy vendet e reja anëtare të BE-së, Rumani dhe Bullgari presidenti gjerman Horst Këhler kishte sjellë me vete jo vetëm fjalë të mira, por edhe kritika.

Presidenti gjerman, Horst Koehler dhe ai bullgar Georgi Parwanow në SofjeFotografi: AP

"Gëzohem që Rumania dhe Bullgaria u kthyen si anëtare me të drejta të barabarta në familjen e përbashkët të Bashkimit Evropian." Me këto fjalë të thëna në prag të vizitës së tij në Sofie dhe në Bukuresht kancelari gjerman Horst Këhler i fitoi zemrat e rumunëve dhe të bullgarëve që në fillim të vizitës së tij në këto vende.

Përveç fjalëve të mirëseardhjes, presidenti gjerman i falenderoi homologët e tij Trajan Basesku dhe Georgi Parvanov për mbështetjen që i kishin dhënë Gjermanisë si presidente e radhës e BE-së. Këhler theksoi se me qëndrimin e tyre konstruktiv në takimin e nivelit të lartë në Bruksel ishte arritur që të përcaktoheshin linjat kryesore për marrëveshjen për reformën e projektit politik të Evropës.

Këhleri nuk i kurseu si në Sofie edhe në Bukuresht lëvdatat për përparimet që kishin bërë të dy vendet 18 vjet pas kthesës politike duke nënvizuar me këtë rast edhe bashkëpunimin e mire me Gjermaninë, jo vetëm në fushën politike, por edhe në atë ekonomike. Si për Bullgarinë edhe për Rumaninë Gjermania përbën partnerin numër një në fushën e tregtisë.

Por presidenti gjerman iu drejtua me fjalë të qartë si politikanëve bullgarë edhe atyre rumunë që të mos ta lënë pas dore procesin e reformave. Në Bukuresht ai tërhoqi vëmendjen për deficitet në fushën e drejtësisë, të cilat ishin kritikuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Këhler tha se thellimi i reformave të filluara është thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

“Tepër të rëndësishme janë në këtë mes përpjekjet që organet e drejtësisë të jenë të pavarura dhe efektive, po ashtu duhet që në të gjitha nivelet të luftohet me sukses korrupsioni." - tha Köhler.

Në parlamentin gjerman, por jo vetëm këtu por dhe në disa parlamente të vendeve të tjera anëtare të BE-së, ka pasu zëra kritikë rreth raportit të BE-së për Rumaninë. Sipas tyre ky raport ka qenë i zbutur dhe në të të nuk është rekomanduar sikurse pritej, përdorimi i klauzolës mbrotjëse për shkak të deficiteve të mëdha në sistemin e drejtësisë të Rumanisë.

Presidenti rumun Traian BasescuFotografi: AP Photo

Presidenti rumun Traian Basescu, i pyetur se ç'mendon për këto kritika, shprehu mirëkuptim:

“Përgjigja ime është e thjeshtë. Unë jam dakord që qëndrimi i disa deputetëve të Bundestagut gjerman është i drejtë. Rumania duhet që të ndërhyjë thellë, me efektivitet me besueshmëri kundër korrupsionit nëpër institucione."

Në Sofie Këhler foli hapur për problemin e kriminalitetit të organizuar dhe të korrupsionit në shtresat e larta të shoqërisë. Homologu i tij Georgij Parvanov premtoi vazhdimin e reformave:

“Natyrisht që Bullgaria do të vazhdojë të bashkëpunojë me BE-në në kuadër të mekanizimit të partneritetit brenda BE-së për të vënë në zbatim rekomandimet e Komisionit të BE-së."

Pamje nga teatri antik i Plovdivit, fillimi i shek. 2-të e.s.Fotografi: AP Photo

Vizita e Këhlerit në të dy këto shtete pati edhe një komponent tjetër, një komponent historiko-kulturor. Me vizitën e tij të shkurtër në Sibiu/Hermannstadt, i cili është këtë vit kryeqytet kulturor i Evropës, Këhleri donte të nderonte përpjekjet e minoritetit gjerman në Rumani për bashkëjetesën paqesore mes nacionaliteteve të ndryshme. Kurse në Bullgari presidenti Këhler vizitoi Plovdivin një prej qyteteve historikë të Bullgarisë.