1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siguria në kufijtë e Izraelit

Florian Mebes/ Auron Dodi20 Gusht 2012

Kufijtë e Izraelit janë të brishtë. Kalimi i kufirit nga xhihadistë egjiptianë e theksoi rrezikun. Nëse do të shpërthejë lufta me Iranin, kërcënon një rrezik në disa fronte.

Gardh izraelit
Gardh izraelitFotografi: AP

Sulmi vjen papritur. Policët e një stacioni në pjesën egjiptiane të qytetit Rafah po hanë bukë pas ndërprerjes së përnatshme të agjërimit të Ramazanit. Në shkëmbimin e zjarrit me ekstremistët islamistë u vranë 16 policë egjiptianë. Pas shtimit të sulmeve vitin e kaluar, izraelitët po ngrenë një gardh të sigurisë së lartë përgjatë kufirit prej 300 km.

Për 30 vjet, kufiri jugor nuk i hapi thuajse asnjë problem Izraelit, sot pasojat negative të pranverës arabe kanë mbërritur në dyert e Izraelit. Qeveria e re egjiptiane ende vazhdon t'i përmbahet marrëveshjes së paqes. Fqinji hebre i ndjek zhvillimet me mosbesim. Ndërtimi i gardhit do të ketë përfunduar pas gjashtë muajsh.

"Për fat të keq, asnjë kufi nuk është njëqind përqind i sigurtë.Gjithmonë do të ketë ndonjë përpjekje për të depërtuar në kufi. Ne zhvillojmë të gjitha teknologjitë e mundshme dhe këtë e bëjnë edhe terroristët". Komenton zëdhënësi i ushtrisë izraelite, majori Arye Shalicar.

Kalimi kufitar RafahFotografi: Reuters

Vëzhgohet situata në Siri

Në vendin fqinj Siri pritet të ketë ndryshim regjimi. Izraeli i mban të pushtuara lartësitë Golan, të cilat i pushtoi në luftën gjashtëditëshe nga Siria. Marrëdhënie diplomatike midis të dyja vendeve nuk ekzistojnë. Jeruzalemi mund të marrë veç qëndrim pritës. Ai është i shqetësuar se armët e shkatërrimit në masë mund të bien në duart e terroristëve. Që nga rrafshnalta e Golanit, vëzhguesit izraelitë vërejnë zhvillimet në vendin fqinj.

" Edhe në kufirin verior duhet parë. Shpresojmë që gjendja të mbetet e qetë. "

Siria është aleate me Iranin. Nëse do të ndërmerret ndonjë sulm izraelit ndaj pajisjeve atomike iraniane, situata mund të përshkallëzohet. Direkt pas kufirit tjetër në veri ndodhet organizata terroriste Hisbollah, në Libanin e jugut. Kjo organizatë mbështetet gjithashtu nga Irani dhe e ka sulmuar herë pas here Izraelin. Ekspertët besojnë se Hizbollatë e kanë shtuar arsenalin e raketave të tyre në 50.000. Ekstremistët zor se do të qendrojnë të qetë nëse ndërmerret sulm ushtarak kundër Iranit. Kërcënon një luftë në disa kufij

33 vjeçarit Bezalei Raviv nga Tiberiasi buzë liqenit Genezareth i kujtohen mirë ngjarjet e verës 2006, kur Libani zhvilloi luftë kundër Izraelit:

"Unë isha në Milano. Po lahesha në pishinë kur më mori motra në telefon dhe më tha se Tiberiasin po e sulmojnë me raketa."

Ai bëri gati valixhen dhe u nis në qytetin e lindjes, megjithëse i vëllai i tha të mos e bëjë këtë. Po Ravivi donte të ishte pranë familjes.

"Zemra m'u thye kur fola me nipin tim Ron dhe vura re se ai nuk ishte më fëmijë. Atëherë ai ishte nëntë vjeç. Kjo më emocionoi dhe e kuptova që duhej të bëja gjithçka për të arritur atje, pa e vënë veten në rrezik."

Në fund të fundit, janë njerëzit ata që i përballojnë pasojat e vendimeve politike dhe ushtarake. Kufijtë e Izraelit janë të brishtë. Ky vend i vogël me më pak se tetë milionë banorë është nën kërcënim të vazhdueshëm.