Kërcënim me terror ndaj Gjermanisë
12 Mars 2007Pas videos së pengmarrësve irakianë një tjetër grup terrorist ka kërkuar tërheqjen e ushtarëve gjermanë nga Afganistani duke kërcënuar me atentate në Gjermani. Bashkëpunimi me trupat e udhëhequra prej SHBA mund të provokojë atentate, kërcënoi grupi, i cili e quan veten "Zëri i kalifatit". Videoja u publikua në internet. Kërcënimet i drejtohen edhe Austrisë.
Kush fshihet pas këtij mesazhi të dytë filmik? A ka lidhje me kërcënimin me vrasje të dy gjermanëve të rrëmbyer në Irak? Dhe sa seriozisht duhen marrë paralajmërimet me atentate të gjoja islamistëve?
Këtë përpiqen ta zbulojnë specialistët e shtabit të krizës në Berlin, të cilët po e analizojnë videon dhe informojnë rregullisht për stadin e punës së tyre ministrin e punëve të jashtme Frank-Walter Steinmeier. Përndryshe si ministria e punëve të jashtme ashtu edhe qeveria po tregohen si zakonisht fjalëpakë dhe refuzojnë kategorikisht të shprehen në lidhje me përpjekjen për shantazhim.
Që shërbimi informativ gjerman dhe enti i kriminalistikës janë vënë në veprim me kohë, kjo mund të konsiderohet e sigurtë edhe pa pohim zyrtar. Dhe po aq e sigurtë është që qeveria gjermane nuk do tu përgjigjet kërkesave të islamistëve duke i tërhequr përpara kohe trupat e veta nga Afganistani.
Në raste pengmarrjeje dhe kërcënimi me vrasje për qeverinë gjermane ekzistojnë dy parime, thotë eksperi për politikën e jashtme i Partisë Kristiandemokrate Eckart von Klaeden:
"Një parim është që qeveria gjermane ndërmerr çdo përpjekje për të shpëtuar jetën e pengjeve dhe për t'i liruar ato mundësisht shëndoshë. Parimi i dytë është: qeveria gjermane nuk është e shantazhueshme."
Në mesazhin e dytë të internetit të shfaqur mbrëmjen e së shtunës organizata që e quan veten "Zëri i kalifatit" kërkon tërheqjen e trupave gjermane dhe austriake nga Afganistani dhe kërcënon me atentate në Gjermani dhe kundër ushtarëve gjermanë në Afganistan.
Faqja e internetit në fjalë përdoret shpesh prej ekstremistëve, edhe prej rrjetit El Kaida. "Përse të rrezikosh ti Gjermani gjithë interesat ekonomike për të mirën e Bushit dhe të bandës së tij", thotë një zë në arabisht. "A nuk është pa mend të inkurajosh muxhahedinët të kryejnë sulme në vendin tënd?" - thuhet më tej në video.
Edhe Austria duhet të llogarisë me sulme. Vendi që varet shumë nga turizmi është në fakt ndër më të sigurtët në Evropë, por siguria mund të marrë fund në rast se ushtarët austriakë qëndrojnë në Afganistan. Qeveria në Vjenë e cilësoi paralajmërimin si shumë abstarkt, siç janë për fat të keq shpesh mesazhet në internet, megjithatë u rritën masat e sigurisë për trupat në Kabul dhe ushtarët u udhëzuan të mos largohen nga zona e tyre në trupën paqeruajtëse ISAF.
Për ushtrinë gjermane nga ana tjetër masat nuk janë rritur deri tani. Një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes tha, se gatishmëria për veprim dhe niveli i sigurisë për mbrojtjen e ushtarëve gjermanë janë edhe tani mjaft të larta. Dhe fundi i misionit nuk duket në horizont. Eksperti për politikën e jashtme i Partisë Kristiandemokrate Eckart von Klaeden dhe kryetari i fraksionit parlamentar të Partisë Socialdemokrate Peter Struck janë të një mendjeje në vlerësimin se misioni i ushtrisë gjermane në Afganistan mund të zgjasë të paktën edhe dhjetë vite.
Parlamenti gjerman miratoi të premten e kaluar zgjerimin e misionit në Afganistan nëpërmjet dërgimit të gjashtë avionëve zbulues të tipit Tornado dhe të 500 ushtarëve. Aktualisht në Afganistan janë stacionuar 3.000 ushtarë gjermanë.