1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërcënimet e Turqisë të merren seriozisht

12 Gusht 2019

Trupat turke në Siri duket se janë gati para një marshimi tjetër në Siri. Një hap i tillë mund të ketë pasoja shkatërruese, komenton Rainer Hermann nga gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung i ftuar nga DW.

Türkei Syrien Konflikt l Türkisches Militär an der Grenze bei Hassa
Fotografi: Getty Images/AFP/O. Kose

Turqia nuk është një vend që i lë të shuhen pa vepra konkrete kërcënimet që bën. Dy herë deri më tani Ankaraja e ka bërë realitet paralajmërimin e marshimit në Siri: me „Operacionin Mburoja e Eufratit" nga gushti 2016 deri në mars 2017 dhe me operacionin „Dega e ullirit" në tremujorin e parë të vitit 2018. Nga ajo kohë Turqia kontrollon 2% të territorit të Sirisë.

E ndezur nga suksesi, Turqia kërkon të zgjerojë masivisht kontrollin e saj në pjesën lindore të Sirisë Veriore. Kur të marrë fund festa fetare katërditore, që fillon të dielën, ka gjasë të nisë operacioni në lindje të Eufratit. Përgatitjet ushtarake përgjatë kufirit duken se kanë përfunduar, edhe rrethanat duken të favorshme për momentin.

Askush nuk e ndal Turqinë

Në arenën ndërkombëtare nuk ka ndonjë aktor që mund ta ndalte Turqinë. Kur në fillim të vitit, presidenti amerikan, Donald Trump e kërcënoi Turqinë me shkatërrimin e ekonomisë, presidenti turk Erdogan i uli papritur tonet. Por tani qeveria amerikane nuk përmend më as sanksionet, që kishte kërcënuar, se do t'i vendoste, për shkak të blerjes nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes raketore, S400. Erdogani i ka luajtur mirë letrat që kishte në dorë: Duke ngritur çomangen e marshimit në Siri, ai e rrit presionin ndaj Uashingtonit, duke pritur marrjen e kthesës nga SHBA për të shmangur një shkallëzim të mëtejshëm.

Edhe në politikën e brendshme duket se rrethanat janë të favorshme. Pas goditjes që mori në zgjedhjet lokale, Erdogani ka nevojë për një temë, me të cilën ai mund ta bashkojë kombin pas vetes; konflikti që nuk të zhgënjen asnjëherë është ai me kurdët. Që nga vrasja e liderit të PKK-së më 27 qershor nga shteti turk dhe akti hakmarrës i PKK (vrasja e një diplomati turk më 21 korrik në Irakun Verior nga PKK), konflikti i vjetër me kurdët është ndezur sërish. Përveç kësaj, në mesin e turqve është rritur pakënaqësia kundrejt refugjatëve sirianë. Erdogani mund ta justifikojë operacionin me krijimin e hapësirës për kthimin e refugjatëve në Sirinë Veriore.

Rrethanat pra për marshimin e tretë të Ankarasë janë të favorshme. Por ky marshim ka rrezik të ndezë dy skenarë vetëshkatërrues. Në njërin prej tyre nga njëra anë do të qëndrojnë përballë turqit dhe - në krahun e kurdëve - ushtarët amerikanë e do të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Nëse amerikanët nuk luftojnë në anën e kurdëve mund të kemi një skenar tjetër: Kurdët thërrasin në ndihmë regjimin e Asadit, i cili me këtë rast rifiton një pjesë të humbur të Sirisë. Si pasojë Uashingtoni do duhet të dorëzojë bazat ushtarake në rajonin e kurdëve dhe Turqia e sheh veten në anën tjetër me kundërshtar Asadin. Në këtë kohë i ashtuquajturi „Shteti Islamik" e përdor vakuumin e krijuar për t'u rikthyer në rajon.

Fotografi: Helmut Fricke

Pozicione të papajtueshme

Strategët në Ankara janë aq të mençur sa t'i paramendojnë të dy skenarët. Prandaj ata shpresojnë që me presion maksimal të sjellin amerikanët në atë pikë, që ata të bien dakord për një zonë të çmilitarizuar shumë më të madhe e më thellë në vend se aktualisht. Në një zonë të tillë neutrale, kurdët pastaj nuk do të kenë më ndikim.

Por kurdët sirianë kanë bërë të qartë, se nuk duan t'i nënshtrohen Ankarasë dhe se nuk do t'i dorëzojnë arritjet e vetëadministrimit. Pozicionet janë të papajtueshme. Në vitin e tetë të luftës siriane kërcënon kështu një raund i ri dhune. Sepse historia na ka mësuar, kërcënimet e Turqisë janë për t'u marrë seriozisht.

 

Analizë e Rainer Hermann, Frankfurter Allgemeine Zeitung