1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160511 Cloud Computing

19 Maj 2011

Cloud Computing, "informatika në re" është kthyer në një tendencë të fuqishme të teknologjisë informatike. Por kjo situatë sjell me vete edhe rreziqe: si paraqitet puna e mbrojtjes së të dhënave, cilat janë rreziqet?

Pamje simbolike e Cloud ComputingFotografi: DW/Arahan, Dev - Fotolia.com

Në mes të majit, gjiganti i internetit Google prezantoi sistemin e tij të ri operativ "Chrome". Në mes të qershorit në dyqane do të dalin laptop-et e parë me sistemin operativ "Chrome". E veçanta revolucionare këtu: sistemi i Googles në parim nuk është më tepër sesa një shfletues interneti. Të gjitha aplikacionet punojnë në internet. Atje - diku në renë e të dhënave të internetit - memorizohen edhe të gjitha të dhënat dhe konfigurimet e përdoruesit, të gjitha tekstet, fotografitë, kontaktet.

Teknologji sipas nevojës

Aparatet e reja "Chrome" janë vetëm dëshmia më e re për një tendencë të fuqishme në teknikën informative: për të ashtuquajturën Cloud Computing, informatikën në re. Infrastruktura e kompjuterave dhe e programeve kompjuterike zhvendoset. Përdoruesi i përdor ato sipas nevojës përmes rrjeteve. Andreas Weiss, drejtor i Shoqatës së sektorit eurocloud Deutschland shprehet kështu: "Teza bazë e informatikës në re është që unë mund të marr me qira në mënyrë dinamike burime të teknologjisë informative dhe që mund t'i konfiguroj si dua ato. Kjo do të thotë: unë mund të blej vetëm atë për të cilën kam nevojë."

Cloud Computing - të marrësh nga interneti atë teknologji që do

Dhe atëherë kur më duhet. Kur një supermarket mallrash interneti ka nevojë në Krishtlindje për dhjetë herë më shumë kapacitet kompjuterash se sa zakonisht, këtij supermarketi nuk i duhet më të ndërtojë një sistem gjigant kompjuterash. Ai thjesht mund t'i marrë me qira burimet e nevojshme. Kjo synohet të ulë shpenzimet dhe të rrisë efikasitetin. Tek ofruesit më të mëdhenj të këtyre shërbimeve në Evropë bën pjesë shoqëria bijë e Telekomit gjerman T-systems.

Anëtari i kryesisë së Telekomit, Reinhard Clemens mendon kështu për informatikën në re: "...që përsa i përket anës teknologjike nuk është më e mundur që ajo të ndalohet. Bëhet fjala për një tendencë teknologjike në ambientin e teknikës informative. Dhe ne të gjithë jemi të të njëjtit mendim se pikërisht në këtë ambient të informatikës në re, e gjithë tema e sigurisë është elementare dhe do të jetë një faktor kritik suksesi."

Reinhard Clemens, anëtari i kryesisë së Telekomit gjermanFotografi: DW

Të veprojmë, pastaj të shohim pasojat?

Pikërisht i këtij mendimi është edhe i Ngarkuari për Mbrojtjen e të Dhënave të landit Schleswig-Holstein, Thilo Weichert. Ai kritikon faktin që konceptet për ruajtjen e sekretit të të dhënave vetëm sa po krijohen vetëm tani: "Ajo që po përjetojmë me informatikën në re është një operacion duke e pasur zemrën të hapur. Veprohet pak a shumë sipas parimit që le ta praktikojmë njëherë përdorimin e të dhënave dhe vetëm pastaj shohim: a ka ndoshta probleme, a ka rreziqe të caktuara?"

Që në përpunimin e të dhënave të besueshme ka rreziqe dhe probleme edhe në sipërmarrje të njohura me emër, kjo u bë e qartë vetëm pak kohë më parë: në prill, sipërmarrjes japoneze të elektronikës zbavitëse Sony iu vodhën të dhënat e më shumë se 100 milionë klientëve. Ekspertët janë të të njëjtit mendim se Sony-t i kanë shpëtuar gabime të pafalshme në mbrojtjen e të dhënave të klientëve. Ndoshta gjiganti i elektronikës në këtë drejtim nuk është i vetëm. Anëtari i kryesisë së Telekomit Clemens kujdeset për 400 klientë të mëdhenj të koncernit dhe foli para pak kohësh për atë që shikon në një ambient të përbotshëm: "Unë mund të them: marrja seriozisht e temës së sigurisë të të dhënave, në mënyrë konstante dhe të vazhdueshme nuk është e vetëkuptueshme kudo në këtë botë- as në Gjermani."

Keqpërdorimi i sistemeve kompjuterike

Sistemet kompjuterike keqpërdoren gjithnjë e më shumë edhe nga kriminaliteti i organizuar. Pas nuk mbeten as shërbimet e fshehta, të cilat me burimet e tyre dalin me qejf në gjueti të dhënash digjitale.

Skandali i vjedhjes së të dhënave tek Sony PlayStation - Sony në TokioFotografi: picture alliance/dpa

Prandaj edhe mbrojtësi i të dhënave Weichert pyet duke pasur parasysh renë e të dhënave pyet: "A është e pranueshme me të vërtetë për një përdorues, për një sipërmarrës, për një sipërmarrje të mesme, që të mos dijë se ku përpunohen në botë të dhënat e tij? Në Kinë, apo në Australi, apo në Amerikën e Jugut? Natyrisht që kjo nuk është e pranueshme".

Megjithatë, tendenca e informatikës në re është e qendrueshme. Jo vetëm sipërmarrje, por edhe administrata publike e zhvendosin gjithnjë e më shumë në re përpunimin e të dhënave. Një gjë është gjithashtu e qartë: tendenca e informatikës në re do ta rrisë edhe më tepër nevojën për një teknologji informative funksionuese.

Autor: Mathias von Hein/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi