1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkesa për dëmshpërblim: Athina e ka seriozisht

6 Qershor 2019

Greqia ka kërkuar zyrtarisht nga Gjermania që të negociojë për dëmshpërblimet për dëmet e pësuara në Luftën e Dytë Botërore. Një notë përkatëse verbale i është dërguar qeverisë gjermane, u bë e ditur në Athinë.

Brauchitsch auf Akropolis
Fotografi: picture-alliance/akg-images

Të ashtuquajturën notë diplomatike verbale - zakonisht mesazh me shkrim nga një shtet tjetër për Ministrinë e Jashtme Gjermane - Athina e pati lajmëruar që në fund të prillit. Në atë kohë, parlamenti e ngarkoi qeverinë e kryeministrit Alexis Tsipras të kërkojë kompensim nga Gjermania për mizoritë e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2016 një komision ekspertësh arriti në përfundimin se ky kompensim duhet të arrijë një shumë deri në 290 miliardë euro. 

Tsiprasi pati thënë se pas përfundimit të programeve të ndihmës për Greqinë e kërcënuar nga falimentimi, do të ishte momenti i duhur për të bërë këtë. Për të kishte rëndësi që të afrohej në një nivel të barabartë dhe miqësor me Gjermaninë, deklaroi ai.

Fotografi: Reuters/G. Baltas

Dëmshpërblimet janë për popullin grek me rëndësi të veçantë, "moralisht dhe materialisht", bëri tani të ditur Ministria e Jashtme.

Gjermania i refuzon dëmshpërblimet

Berlini e ka refuzuar në mënyrë të përsëritur një kompensim më të lartë ndaj Athinës për krimet gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Qeveria Federale Gjermane argumenton se të gjitha kërkesat financiare të Greqisë për këtë periudhë janë kompensuar. Kjo vlen edhe për çdo pretendim që rrjedh nga një kredi e imponuar, të cilën Gjermania naziste ia kishte kërkuar si fuqi pushtuese Greqisë, në fillim të viteve 1940. Në vitin 1960 Gjermania i ka paguar Greqisë 115 milionë marka dëmshpërblim.

Juristë dhe historianë kanë qëndrime të ndryshme lidhur me të drejtën e grekëve për dëmshpërblime të mëtejshme. Historianë dhe juristë grekë arrijnë në përfundimin se Gjermania duhet ta dëmshpërblejë ende Greqinë. Kurse ekspertë gjermanë, duke përfshirë edhe Shërbimin Shkencor të Bundestagut, kanë arritur në përfundimin e kundërt. Kriza e madhe ekonomike e çon qeverinë greke të bëjë edhe hapa, prej të cilave realisht ajo nuk pret shumë.

 

dw (dpa, rtr)