1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkimet e mëdha në Gjermani bëhen në universitete

ADD12 Tetor 2007

Në komentet e shtypit, veç urimeve për Peter Grynbergun dhe Gerhard Ertlin që sapo morrë Çmimin Novel ndihen edhe kritika parimore.

Gerhard Ertl, fituesi i çmimit Nobel 2007 për kiminë
Gerhard Ertl, fituesi i çmimit Nobel 2007 për kiminëFotografi: AP GraphicsBank

Gëzimi në Gjermani është i madh, edhe nëse janë shumë të paktë ata që e dinë se çfarë kërkimesh kanë bërë me të vërtetë dy shkencëtarët gjermanë, të cilët u nderuan pardje dhe dje me çmimet Nobel për fizikën dhe kiminë.

LANDESZEITUNG që botohet në Lyneburg shkruan:"Dy çmime Nobel në disiplinat mbretërore të shkencave natyrore janë një shkas për krenari për kërkimet shkencore fondamentale në Gjermani, por nuk janë shkas për të dhënë shenjën e stabilizimit të gjendjes në kërkimet shkencore dhe në politikën arsimore. Skeptika ndaj përparimit e viteve 80 ushqeu në Gjermani një qëndrim armiqësor ndaj shkencave të natyrës. Pasojat ndihen në shumë rrafshe: që në rezultatet e pamjaftueshme në shkolla deri te shkencëtarët, që zelli burokratik i rregullave në Gjermani i shtyu të shkojnë në botën e jashtme. Një sinjal mund të vijë nga vendimet e komitetit të Nobelit, për të dekoruar ato kërkime shkencore fondamentale, të cilat përdoren në praktike që në të gjallë të shkencëtarëve, në industrinë e automobilëve, të ushqimeve dhe në industrinë e kompjuterave"

Në gazetën STUTTGARTER ZEITUNG lexojmë: "Surpriza në të gjitha palët, për dekorimin e dyfishtë me dekoratën më të lartë shkencore, flet qartë: shumë nuk e kanë quajtur të mundur këtë sukses, megjithëse arritjet e Grynbergut dhe të Ertlit janë të njohura dhe të padiskutueshme në botën shkencore. Në vitet '80 puna paraqitej ndryshe: atëherë, në Gjermani mund të kremtoje rregullisht marrjen e çmimeve Nobel nga shkencëtarët vendas. Ndjesia e tanishme është disi si ajo pas zgjedhjes së Papës dhe të fitores së kampionatit botëror të hendbollit. Kjo ndjenjë vrulli mund t'i hyjë mirë në punë shkencës."

OFFENBURGER TAGEBLATT vëren: "Përpara se kombi, i cili është i përfaqësuar edhe me Papë, e humbet kontrollin nga gëzimi, duhet të lejohen tërheqjet e vëmendjes për detyrat e pakryera. Në studimin e shkollimit të Pizas, Gjermania është pas kombeve të tjera. Pikërisht dy mbajtësit e çmimit Nobel tregojnë se kohën më të mirë të kërkimeve gjermane e kemi lënë disa vite pas. Të dy janë rreth të 70-ave dhe rezultatet e kërkimeve të tyre po ashtu janë thinjur. Vetëm nëse Gjermania i fut paratë e saj në shkollimin e fëmijëve dhe në shkencë e teknikë, vetëm atëherë ajo mund ta ruajë respektin për të në të gjithë botën dhe standartin e lartë të jetesës."

DÖBELNER ANZEIGER tërheq vëmendjen:

"Natyrisht që nuk është puna se nga laboratorët e këtushëm nuk priten rezultate të nivelit të lartë. Por pengesat, të cilat u duhet të kapërcejnë shkencëtarët e këtushëm nuk janë vetëm të natyrës shkencore. Rrugës për në një zbulim që t'ia vlejë për çmimin Nobel gjenden shumë pengesa demokratike. Nëse Peter Grynbergu tani gëzohet, që në sajë të çmimit të mos i duhet në të ardhmen që të plotësojë lutje e formularë të gjatë për blerje pajisjesh, këtë janë të detyruar ta bëjnë kolegët e tij, që nga Rostoku në Frajburg."

Ndërsa SAARBRÜCKER ZEITUNG kujton:

"Suksesi i dyfishtë të kujton edhe diçka tjetër: kërkimet e shquara në Gjermani kryhen ende në kuadër të universiteteve. Prandaj do të mbetet një detyrë qendrore e së ardhmes, që të mbështesë me paratë e ekselencës, jo vetëm fanarët e shkencës që gjithsesi shkëlqejnë, por edhe peizazhin e shkollave të larta gjermane në spektrin e gjerë të tij."

Së fundi edhe BERLINER TAGESSPIEGEL është e mendimit:

"Atë të cilën shumica e shkencëtarëve e arrijnë shumë rrallë ose kurrë, për Ertlin dhe ekipin e tij ishte rutinë: botime në revista të specializuara prestigjoze. Por e vërtetë është edhe se shumica e gjermanëve thuajse nuk i njohin Grynbergun dhe Ertlin. Kjo ka të bëjë ndoshta me faktin se kërkimet e tyre shkencore janë tepër të komplikuara. Ose mund të ketë të bëjë me faktin se ne kujdesemi shumë pak për kokat tona më të ditura. Në Korenë e Jugut, shkencëtarët janë yje. Në këtë drejtim ne kemi ende për të bërë. Ndërgjegjësimi për atë, se sa të rëndësishme janë dija dhe kërkimet për vendin tonë, ky ndërgjegjësim rritet vetëm në mënyrë të ngadalshme."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW