Kërkohen me ngut personat e mbetur në traget
17 Prill 2014Valët e fuqishme dhe mjegulla po i vështirësojnë punët për shpëtimin e personave të mbetur në tragetin e përmbytur në ujërat e Koresë së Jugut. Zhytësit po përpiqen që me ndihmën e dritave artificiale të futen në brendësi të tragetit, ku dyshohet të kenë mbetur shumë pasagjerë. Por deri tani zhytësit nuk kanë mundur të depërtojnë në brendësi. Shumë të mbijetuar kanë raportuar se drejtuesit e anijes kanë kërkuar prej pasagjerëve të qëndrojnë në kabinat e tyre, edhe pse ishte e qartë se anija po fundosej.
Familjarët shpresojnë ende
287 nga gjithsejt 475 udhëtarët në bord, ndër të cilët kanë qenë 375 nxënës, ende mungojnë. Ekziston frika se shumë prej tyre kanë mbetur të ngujuar në anijen "Sewol". Por përfaqësuesit e njësive, që po marrin pjesë në përpjekjet për shpëtim, kanë pak shpresa se ata ende janë gjallë, thotë Cho Yang Bok për televizonin YNT.
Dyshohet se trageti ka goditur të mërkurën një shkëmb rreth 20 kilometra larg nga ujdhesa Chindo. Trageti ishte në rrugë prej Inchon drejt ujdhesës se pushimeve Cheju. Është spekuluar edhe për mundësinë që bordi drejtues të ketë ndryshuar kursin e rrugës, për shkak të vonesës në nisje. Por deri tani nuk ka ndonjë version zyrtar se pse ka ndodhur kjo fatkeqësi. Pasagjerët e shpëtuar kanë rarpotuar për një goditje të fuqishme, para se trageti të rrëzohej dhe pjesërisht të fundosej. Shumë prej pasagjerëve kanë bërë përpjekje të kalojnë në anijet e shpëtimit, por ndihmësit ishin të pafuqishëm për të evituar rrotullimin dhe fundosjen e tragetit "Sewol".
Më shumë se 100 anije dhe helikopterrë po marrin pjesë në aksionet e shpëtimit. SHBA kanë dërguar në këtë zonë për ndihmë bartësen e helikopterrëve"USS Bonhomme Richard". Deri tani janë nxjerrë trupat e nëntë viktimave. Autoritetet thonë se deri tani janë shpëtuar 179 pasagjerë. Ndër ta është edhe kapiteni, i cili po merret në pyetje lidhur me shkaqet e fatkeqësisë.