Kërkush nuk e di çfarë do Polonia
22 Qershor 2007
Gazetat gjermane i kushtojnë vëmendjen samitit të BE-së dhe kundërshtimeve polake, ndaj parimit të votimit me shumicën dyfishe të vendosur në projektkushtetutë. Sipas tij një vendim do ta aprovojnë 55 përqind e shteteve anetare që përbëjnë 65 përqind të popullsisë evropiane. Pak para fillimit të samitit Kacinski llogariti edhe të vdekurit e luftës në numrin e popullsisë duke thënë se pa luftën e dytë botërore Polonia do të kishte 66 milionë dhe jo 38 milionë banorë.
Për këtë gazeta Handelsblatt e Düsseldorfit shkruan:
"Çfarë do Polonia? Kësaj pyetjeje nuk mund t´i përgjigjej dje, në ditën e fillimit të samitit, askush. Atë, që kishte mbetur nga kredibiliteti politik, e humbi kryeministri Jaroslav Kacinksi me referimin historik për viktimat polake të luftës së dytë boterore, të cilat duheshin përfshirë në proporcionin e votimit në këshill. Në vendin e tij, njerëz, që kanë urrejtje të sëmurë ndaj gjermanëve, mund ta duartrokasin për thënie të tilla. Pjesa tjetër e Evropës ia kthen kurrizin me tmerr. Polonia ka vuajtur tmerrësisht nga terrori nazist. Por edhe shumë shtete të tjera evropiane kanë vuajtur po ashtu. BE bazohet në parimin e pajtimit. Ai ka bërë, që armiqtë e vjetër të bëhen partnerë të besueshëm dhe në shumë raste biles miq.
"Westdeutsche Zeitung"
"Tani mund të thuash se një qeveri, e cila fajëson teletabis, se po përhapin homoseksualizmin në shoqëri, nuk duhet marrë seriozisht. Dhe kërkesa e Jaroslav Kacinksit, për të marrë parasysh të vrarët polakë në luftë në ndarjen e votave në BE, nuk është asgjë tjetër veçse teletabizim i politikës së jashtme. Eshtë absurde deri sa nuk ka ku të shkojë më. E qeshura të mbetet në fyt. Në Evropë nuk kalon dot pa marrë parasysh Poloninë dhe as në Poloni pa Kacinskit.
"General Anzeiger"
"Kryeministri polak ka dëmtuar Evropën. Kurrë më parë një kryeministër i një shteti anëtar i bashkësisë nuk është shprehur me tone të përafërta revanshiste. Ky burrë e ka humbur kredibilitetin. BE ka nisur si projekt i paqes, që e ka të shkruar në flamuj pajtimin. Kush do të bëjë pjesë këtu, duhet ta dijë këtë. Fryma e marrëveshjeve të Romës ekziston në kapërcimin e së kaluarës. Dhe për këtë duhet të japin shembullin e vet kryetaret e shteteve dhe te qeverive. Kaçinski ka dështuar pikerisht në kete pikë."
"Märkische Oderzeitung" nga Frankfurt mbi Oder
"Në rradhë të parë me zhvillimin dinamik të ekonomisë Polonia ka larguar shumë gjermanë nga paragjykimet e mëparshme. Janë pikërisht binjakët Kacinksi, që me mosbesimin e tyre vënë në pikëpyetje keto ndryshime. Ata të dy dhe pasuesit e tyre nacionalkonservatorë vazhdojnë ta perceptojnë vetveten si një komb i kercenuar, të cilit në histori i është bërë vazhdimisht padrejtësi. Në këtë mendësi nuk ka vend për pajtimin, i cili është bërë sidomos pas vitit 1989. Me qëndrimin e saj ndaj Evropës qeveria polake dëmton në rradhë të parë vetveten. Sepse nëqoftëse pas një dështimi të samitit të tanishëm disa vende do të mblidhen për të vazhduar integrimin, Varshava nuk do të bëjë pjesë në to."
"Fränkischer Tag" shkruan
"Dështimi i samitit do të kishte anët e tij pozitive. Një sërë vendesh me vullnet të mirë do ta çonin përpara integrimin. Shtetet, që në samitin e Brukselit refuzojnë, nuk do ta pengonin më. Do të krijohej një Evropë, që do të forcohej nga ana institucionale dhe do të përcaktonte mekanizma të qarta demokratike votimi, në bazë të të cilave më të dobetit do t´i bashkohen mendimit të shumicës. Kush do të hyjë pastaj në këtë klub të ri ekskluziv, e di fare mirë se çfarë rruge i hyn duke lëshuar automatikisht një pjesë të mirë të sovranitetit shtetëror."
"Süddeutsche Zeitung" merren me një temë tjetër. Fraksioni i majtë në parlament ngre zërin kundër observimit të tij nga mbrojtja e kushtetutës
"Armik i kushtetutës, nuk është kushdo, që do ta ndryshojë atë, perndryshe në të gjitha partitë demokratike do të kishte qindra, mijëra armiq të kushtetutës, gjysma e parlamentit do të ishte antikushtetues. Armik i kushtetutës është ai, që nuk i respekton parimet e pandryshueshme të kushtetutës apo që do ta ndryshojë apo heqë në mënyrë jo të rregullt kushtetutën. Armik i kushtetutës është ai, që mohon demokracinë dhe shtetin juridik. Prandaj NPD dhe DVU janë antikushtetuese. Ata propagandojnë dhunë dhe rrezimin me dhunë. Nëqoftëse tendenca të tilla shfaqen në spektrin e majtë, kjo është antikushtetuese. Nuk ka mesazh, që mund të legjitimonte dhunën dhe rrëzimin. Kush e pohon këtë është fundamentalist."