1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli Federal: "Martesë për të gjithë"

Naomi Conrad14 Qershor 2015

Përfaqësuesit e landeve i bëjnë presion qeverisë. Ata kërkojnë hapjen e martesës për çiftet homoseksuale e lezbike e me këtë edhe të drejtën e plotë të adoptimit. Por jo të gjithë janë pro kërkesës.

BdT Deutschland Abstimmung zur Gleichstellung homosexueller Partnerschaften
Këshilli Federal vendosi hapjen e martesës edhe për çiftet homoseksualëFotografi: picture-alliance/dpa/G. Fischer

Të premten në mëngjes demonstruesit valëvisnin flamuj me ngjyrat e ylberit dhe pozonin me pllakate rozë në duar për fotografët. "Martesë për të gjithë" lexohet aty. Shoferët e makinave i bien borive, demonstruesit qeshin dhe përshëndesin. Pak minuta më vonë Këshilli Federal diskuton për një rezolutë që u mundëson çifteve homoseksualë e lezbike martesën dhe adoptimin. Daniel Gollasch mendon se "është paturpësi që në vitin 2015 ende ekziston një pabarazi shtetërore në trajtimin e formave të ndryshme të jetës në çift." 20 vjeçari mban një pllakat ku shkruhet "Jo gjëra gjysmake" dhe tund kokën; "Koha për reflektim ka mbaruar, tani është koha për veprim." Në Gjermani çiftet e së njëjtës gjini nga viti 2001 mund të regjistrojnë partneritetin, e që atëherë të drejtat e tyre i janë përafruar atyre të çifteve heteroseksualë të martuar, sidomos në çështjen e trashëgimisë. Megjithatë ka pasur dallime. Kështu për shembull çiftet e së njëjtës gjini nuk mund të adopotojnë fëmijë.

Përçmimi "jo shumë vite larg"

Kryeministrja e landit Renani-Pfalc, Malu Dreyer (SPD) thotë në debat në Këshillin Federal se ky është një "diskriminim i pastër". Nuk ka arsye pse homoseksualët dhe lezbiket t'ua privosh barazinë e plotë. Askush, thotë kryeministri i landit Winfried Kretschmann i Të Gjelbërve, nuk duhet të nxirret jashtë shoqërisë. Me këtë pozicion, politikani i Të Gjelbërve, ai ndjehet mirë edhe më botëkuptimin e tij të krishterë - edhe pse kisha ka mendim tjetër për këtë çështje. Nuk ka asnjë të dhënë se çiftet që kanë të njëjtën gjini kanë rol negativ tek fëmijët. Nuk mund t'ua mohosh atyre të drejtën për adoptim duke u "bazuar në spekulime".

Demonstratë para Këshillit FederalFotografi: DW/N. Conrad

Ndërkohë që në tribunë një grup vizitorësh braktis sallën, kryeministri i Turingjisë, Bodo Ramelov ( e Majta" kujton se të gjithë njerëzit për shkak të orientimit seksual në kohën e nacionalsocializmit "u dërguan drejt vdekjes". Por përçmimi shoqëror dhe ndjekja penale "nuk i përket një kohe të largët". Deri në fund të viteve 60-të homoseksualiteti në Republikën Federale përgjithësisht ndëshkohej penalisht. Paragrafi 175 që dënonte homoseksualitetin u hoq nga kodi penal gjerman pas bashkimit në vitin 1994.

Bavaria kundër Këshillit Federal

Ministri i Drejtësisë së Bavarisë, Winfried Bausback është i vetmi kundër kërkesës së landit të Saksonisë së Poshtme, e përkrahur nga nëntë lande gjermane. Të hapësh martesën për të gjithë, sipas politikanit të CSU-së "do të thotë të shkosh një hap shumë larg". Me këtë vendosen barabar gjëra që "nuk janë të barabarta". Martesa mbetet baza për familjet ku jetojnë fëmijët që rriten me prindërit legjitimë. Martesa dhe partneriteti i çifteve me të njëjtën gjini, sipas Bausback nuk "janë e njëja gjë, dhe ne do të bënim mirë, t'i ndanim këto." Bavaria refuzon hapjen e martesës, një qëndrim që ministrja e Shëndetësisë së landit Renani-Veriore-Vestfali, Barbara Steffens e Të Gjelbërve e kritikon si "të kaluar nga koha".

Fotografi: DW/N. Conrad

Topi ka kaluar tek qeveria

Debati ndërpritet në Bundestag për të përshëndetur një delegacion nga Mali, që zë vend në tribunë. Ky vend, në dallim nga vendet e tjera afrikane, nuk e ndjek penalisht homoseksualitetin, por shoqëria ende i përçmon homoseksualët. Pjesëtarët e delegacionit e ndjekin në heshtje debatin e përkthyer në Bundestag. Në fund e merr fjalën politikanja e Gjelbër nga Hamburgu, Katharina Fegebank, ajo pyet se çfarë ndryshon për çiftet heteroseksuale nëse martesa si institucion hapet edhe për homoseksualët. Përgjigjja e saj. "Asgjë". Më vonë shumica e miraton kërkesën. Me këtë rritet edhe presioni ndaj qeverisë gjermane, që ka në dorë vendimin. Në koalicion kjo temë është e kontestuar. SPD-ja ka bërë fjalë për barazimin e martesës se çifteve të së njëjtës gjini me martesën e çifteve heteroseksuale. Ndërsa Unioni konservator mbetet tek "Jo"-ja e tij.