1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Evropës kritikon SHBA-të për metodat e luftës kundër terrorizmit

Martin Durm12 Shtator 2006

Në përvjetorin e pestë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Këshilli i Evropës kritikoi metodat e luftës kundër terrorizmit

Logo e Këshillit të Evropës
Logo e Këshillit të Evropës

Burgjet të fshehta, rrëmbimet e personave të dyshuar për terrorizëm, metoda të rënda të marrjes në pyetje - të gjitha këto nuk e bëjnë më të sigurtë Amerikën dhe botën. Po ashtu e tërë kjo nuk do të ofroj mbrojtje nga kërcënimet radikale islamike. Kështu sqaron në pesëvjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Këshilli i Evropës i cili në këtë mënyrë kritikon masat amerikane në luftë kundër terrorizmit.

Komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg tërhoqi vërejtjen se gjatë viteve të kaluara persona të dyshuar për terrorizëm janë rrëmbyer dhe torturuar gjatë marrjes në pyetje. Këto veprime varrosin bazat etike të një shoqërie demokratike, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës i cili aktualisht ka 46 vende anëtare. Pasi që presidenti amerikan Xhorxh Bush gjatë javës së kaluar konfirmoi ekzistencën e burgjeve të fshehta të CIA-s ai u kritikua ashpër në Këshillin e Evropës. Sekretari i përgjithshëm Terry Davis theksoi se në luftë kundëër terrorit duhet të respektohen standardet e të drejtës ndërkombëtare: "Jam i bindur që presidenti Bush dhe qeveritë evropiane janë të obliguara që të mbrojnë qytetarët e tyre, përfundimisht edhe këtu në Evropë ekziston një kërcënim real. Qeveritë duhet të përcjellin personat e dyshimtë për terrorizëm, t'i arrestojnë ata dhe t'i marrin në pyetje dhe nëse ekzsitojnë prova edhe t'i dënojnë ata. Por ajo çfarë unë nuk kuptoj është: pse kjo duhet të ndodh nëpër burgje të fshehta. Britanikët kanë vepruar ndryshe. Kur para pak javësh terroristët deshën të hedhin në ajër avionët të cilët ndodheshin në rrugë për në SHBA policia britanike arrestoi të dyshuarit dhe i morri ata në pyetje por jo në burgje të fshehta", tha Davis.

Kidnapimi i personave të dyshuar për terrorizëm, marrjet e tyre në pyetje nëpër vende të fshehta, të gjitha këto metoda të praktikuara viteve të kaluara nga shërbimi i fshehtë amerikan CIA duhet të përfundojnë kërkon Këshilli i Evropës. Dhe sekretari i përgjithshëm i këtij Këshilli u bën thirrje vendeve anëtare evropiane që të kontrollojnë më mirë shërbimet e fshehta të huaja dhe të fusin nën kontroll parlamentar edhe shërbimet e tyre kombëtare. Aleanca e shteteve nuk dëshiron që luftën e terrorizmit t'ia lë përsipër vetëm policisë, ushtrisë dhe agjentëve të fshehtë. Dialogu mes kulturave dhe religjioneve është po ashtu një instrument i fuqishëm kundër fanatizmit dhe dhunës, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës me rastin e pesëvjetorit të sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.