Këshilli i Sigurimit dënon atentatet vetëvrasëse në Damask
24 Dhjetor 2011Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar me forcë sulmet vetëvrasëse në kryeqytetin sirian, Damask. Instanca më e lartë e OKB-së u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe popullit sirian. Në sulmet e së premtes humbën jetën rreth 45 vetë dhe u plagosën më shumë se 160. Por 15 shtetet anëtarë të Këshillit të Sigurimit sërish nuk ranë dakord për përpilimin e një rezolute kundër dhunës në Siri. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon i bëri thirrje regjimit të presidentit Bashar al-Asad të zbatojë pa vonesë planin e aksionit të Ligës Arabe. Vëzhguesit e Ligës Arabe do të kontrollojnë nga e hëna, nëse qeveria, siç ka premtuar do të tërheqë trupat e saj dhe do të ndalojë dhunën kundër opozitarëve. Liga Arabe ka dërguar fillimisht 50 vëzhgues në Siri. Deri tani kryeqyteti i vendit i kishte shpëtuar akteve të dhunës, të cilat kanë përfshirë pjesën qendrore dhe veriore të vendit.
Siria ia ngarkoi përgjegjësinë për sulmet ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë dhe një dege tjetër të shërbimeve të fshehta organizatës terroriste al Kaida. Nga ana tjetër, Komisioni i Përgjithshëm i Revolucionit Sirian deklaroi se sulmet ishin një prodhim i qeverisë siriane për të përligjur dhunën brutale ndaj protestuesve. Bie në sy fakti, që ngushëllimet Këshilli i Sigurimit nuk ia drejtoi (si zakonisht) qeverisë së vendit të prekur. Propozimi i Rusisë për një deklaratë, në të cilën kërkohej përmbajtje maksimale si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, nuk u pranua. Edhe projektrezoluta e hartuar prej Rusisë u gjykua si "e pamjaftueshme" nga i ngarkuari i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara Peter Wittig sepse ajo nuk bënte fjalë për sanksione.
Autor: Elert Ajazaj
Redaktoi: Lindita Arapi