1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli NATO-Rusi: Bisedimet vazhdojnë në raund tjetër

13 Janar 2022

NATO dhe Rusia nuk arritën t’i japin zgjidhje grindjes për Ukrainën. Rreziku i luftës mbetet real, mendon NATO dhe do të vazhdojë bisedimet. Moska bën përgjegjës Perëndimin.

NATO-Russland Rat tagt in Brüssel
Këshilli NATO-Rusi, Jens Stoltenberg dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksander Grushko, 12.01.22Fotografi: Olivier Hoslet/AFP

"Diskutimet nuk qenë të lehta", u shpreh përmbledhtas Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lidhur me takimin e 30 anëtarëve të NATO-s me përfaqësuesit e qeverisë ruse.Lidhur me gjendjen e sigurisë në Europë me theks të veçantë ndaj Ukrainës u bisedua rreth katër orë në Bruksel, por nuk pati ndryshim të qëndrimeve. „Ne kemi propozuar një seri bisedimesh, edhe për sa i përket dislokimit nga të dyja palët të raketave në Europë. Por pala ruse sot nuk ishte në gjendje të vendoste", tha Stoltenberg. Rusia megjithatë nuk e ka refuzuar një takim tjetër, shtoi Stoltenberg. Kryenegociatori rus Aleksandr Grushko, akuzoi NATO-n, se nuk i përgjigjet ofertave për zbutjen e situatës. "NATO i përmbahet taktikës nga Lufta e Ftohtë për kufizimin e Rusisë. Një përkeqësim i mëtejshëm i situatës mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe serioze për sigurinë europiane", tha zëvendësministri i Jashtëm rus Grushko pas bisedimeve në ambasadën ruse në Bruksel.

Fotografi: Alexey Vitvitsky/Sputnik/picture alliance/dpa

"Rusia nuk ka veto"

Aleanca i kërkon Rusisë për të disatën herë, që të tërheqë rreth 100.000 ushtarët nga kufiri me Ukrainën. Diplomatë rusë sërish parashtruan kërkesën e Kremlinit  që NATO të mos pranojë më anëtarë të rinj dhe të tërheqë trupat nga vendet e reja anëtare në Lindje. Aleanca i hodhi poshtë kërkesat e Rusisë, tha Jens Stoltenberg. NATO dhe vendet aspirate për anëtarësim e vendosin vetë, se çfarë rruge duan të ndjekin. "Askush nuk duhet të ndërhyjë. Natyrisht Rusia nuk ka veto për këtë, nëse Ukraina mund të bëhet anëtare e NATO-s." Zëvendëministrja e jashtme e SHBA, Wendy Sherman sërish theksoi, se porta e NATO-s është e hapur. Por pikërisht të kundërtën kërkon Rusia: „Ne duhet t'i japim fund politikës së portës së hapur. (...) Nëse NATO do të bashkëpunojë, duhet të pranojë rolin e Rusisë si fuqi e paqes", kërkoi Aleksander Grushko.

Fotografi: Alexey Vitvitsky/Sputnik/picture alliance/dpa

Më 2008 NATO i ofroi anëtarësimin Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Por se kur kjo është çëshje e hapur. Pas këtij premtimi Rusia pushtoi pjesë të Gjeorgjisë dhe më 2014 aneksoi Krimenë ukrainase. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg kërkon nga Rusia që të heqë dorë prej qendrimit të saj duke ndezur konflikte, "Rusia ka trupa në Gjeorgji, Moldavi dhe në Ukrainë. Këto trupa ndodhen atje pa miratimin e qeverive të këtyre vendeve. Ato nuk janë ftuar dhe nuk janë të mirëpritur atje. NATO i kërkon Rusisë, që t'i tërheqë këto trupa dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin e Gjeorgjisë, Moldavisë dhe të Ukrainës", tha Stoltenberg në Bruksel.

OSBE si ndërmjetësuese

Të enjten (13.01) bisedimet për sigurinë europiane vazhdojnë në kuadër të OSBE-së në Vjenë. Në OSBE janë si SHBA-ja edhe Rusia si dhe Ukraina e 53 shtete të tjera të hemisferës veriore anëtare. Që nga viti 1995, kur OSBE-ja u krijua si orgnizatë pasuese e „Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin", ajo shërben si një platformë për bisedime mbi çarmatimin dhe çtensionimin ushtarak.

 

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE